“Uroj të gjejnë dashurinë të cilën e kam gjetur unë”.
Një dashuri që nuk e ndali as lufta, e as koha.
Për Shukrijen, Agim Ramadani nuk është vetëm një emër i historisë.
Është njeriu me të cilin ndau jetën, kujtimet dhe ëndrrat.
E kur flet për të, fjalët i ka të panumërta.
“Ka qenë ndër ditët më të rënda. Por falë qëndrimit, dashurisë dhe idealit me të cilin jemi rritur bashkë, edhe si gjenerata kemi pasur, ka ndihmuar të qëndrojë e fortë dhe të vazhdojë rrugën që do të kishte dashur Agimi”, tregon gruaja e heroit.
Ajo thotë se mungesa e Agimit ndihet çdo ditë, por përvjetorët e rikthejnë më fuqishëm mallin dhe emocionet.
“Çdo ditë është e veçantë pa Agimin. Ashtu siç ishte e veçantë edhe me të. Por përvjetorët kanë diçka më të rëndë se përditshmëria, ngaqë të nxisin të gjitha ndjenjat, të qesin në sipërfaqe, por falë Zotit krenaria është aq e madhe saqë na e mbyt mallëngjimin dhe dhembjen. Shpresoj që me punën e drejtë që po bëhet në ndërtim të shtetit tonë, do ta kemi më lehtë. Jo vetëm ne si familje të dëshmorëve, por edhe veteranët, të plagosurit, familjet e martirëve të gjithë së bashku, ngaqë ëndrra e tyre ishte një Kosovë e lulëzuar, një shtet i fortë, një shtet përparimtar dhe demokratik”.
Ajo e kujton Agimin si një njeri të veçantë, një personalitet që vështirë përshkruhet me fjalë.
“Ai ishte një njeri shumë i veçantë, ishte një humorist i pashoq, ishte një romantik që e dëshiron çdo vajzë dhe çdo grua. Ishte dikush që s’mund ta njihni kurrë ngaqë vërtet nuk ka asnjë sinonim që ta përshkruajë aq i veçantë që ishte. Uroj të gjejnë dashurinë të cilën e kam gjetur unë. Uroj t’i përkushtohen asaj dashurie, të jetojnë të lumtur, ashtu siç dëshiruan gjeneratat e mëhershme dhe ne si prindër si dëshirojmë për të mirët tanë”, thotë ajo.
Shukrija thotë se sakrifica e dëshmorëve duhet të mbetet udhërrëfyes për ndërtimin e një shteti të fortë.
Jam e lumtur që institucionet vërtet janë të përgjegjshme dhe i japin rëndësi figurave tona kombëtare ngaqë kështu ndërtohet historia. Të rinjtë, gjeneratat e reja duhet të mësojnë se liria nuk erdhi lehtë. Ajo erdhi mbi gjakun e dikujt, mbi dhembjen e përhershme të fëmijëve jetimë, të grave dhe nënave që mbetën pa më të dashurit e tyre dhe nuk është e lehtë të ndërtohet. Duhet ta ruajmë si sytë e ballit”.
Agim Ramadani, në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.
Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.



