Mision kanë garantimin e sigurisë dhe qetësisë publike.
Megjithatë shpeshherë, zyrtarët policorë në teren por edhe brenda stacioneve janë sulmuar fizikisht nga qytetarët.
Raste të tilla ka pasur edhe së fundmi në disa qytete të vendit.
Ish eprori në Polici, Refki Morina po e quan këtë dukuri si shqetësuese.
Ai thotë se duhet veprime më rigoroze edhe nga institucionet e drejtësisë.
“Kemi pasë raste në vazhdimësi kur zyrtarët policorë sulmohen në kryerjen e detyrës zyrtare dhe sulmi ndaj zyrtarëve policorë, paraqet sulm ndaj rendit dhe qetësisë publike si dhe ndaj shtetit. Prandaj, duhet të gjithë mekanizmat edhe Prokuroria, Gjykata etj., të aktivizohen në mënyrë të atillë që personat të cilët sulmojnë zyrtarët policorë në kryerjen e detyrës, t’i ndëshkojnë konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thotë nënkoloneli në pension, Refki Morina.
Edhe majori në pension i Policisë, thotë se qytetarët duhet të jenë më të përgjegjshëm ndaj punës së policëve.
“Zyrtarët policorë janë të vetdijshëm për punën që ata e kanë, rëndësinë e tyre që e kanë, profesionalizmin që duhet ta tregojnë edhe në stacione policore, po ashtu edhe jashtë në qytet. Çka është fatkeqësia më e madhe që zyrtarët policorë sulmohen në stacione, jashtë stacioneve që unë besoj që është përgjegjësi e madhe që qytetarët duhet ta kenë ndaj policëve”, tha majori në pension, Qazik Reka.
Sipas tij, ka shumë mekanizma që qytetarët mund t’i shfrytëzojnë për kundërshtimin e veprimeve të zyrtarëve.
“Fatmirësisht ne i kemi organet të cilat i mbikëqyrin policët, duke fillu prej eprorit të tij e deri në Drejtorinë Rajonale, por nëse nuk janë të kënaqur me ta, e kemi një institucion si Inspektorati Policor i Kosovës i cili bën hetimin për shkelje apo të zyrtarëve policorë. Qytetarët janë të lirë të bëjnë ankesa, por nuk janë të lirë t’i sulmojnë policët. Policët janë njerëz që i mbrojnë edhe ata të cilët i sulmojnë policët”, deklaroi Reka.
Tëvë1, ka pyetur edhe Policinë e Kosovës për numrin e këtyre rasteve, por që nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë, në Inspektoratin Policor të Kosovës vitin e kaluar ka pasur rritje të ankesave ndaj këtyre zyrtarëve.






