Gjatë homazheve për viktimat e masakrës në Rezallë, Xhavit Jashari ka drejtuar kritika ndaj Shkëlzen Gashi, lidhur me ekspozitën të organizuar në Prishtinë, për të cilën ai tha se shtrembëron historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Jashari deklaroi se do të vazhdojnë reagimet dhe protestat kundër çdo përpjekjeje që, sipas tij, synon të njollosë luftën e UÇK-së.
Ai kritikoi edhe institucionet vendore për mungesë reagimi, duke thënë se ato nuk kanë ngritur zërin për çështje që lidhen me interpretimin e luftës dhe me rolin e institucioneve ndërkombëtare.
Sipas Jasharit, ka pasur paralajmërime për ndërmarrjen e hapave ligjorë ndaj rasteve të tilla, ndërsa shtoi se ekspozita në fjalë, sipas tij, kishte për qëllim shtrembërimin e së vërtetës historike mbi luftën në Kosovë.
Deklaratat e tij u bënë në kuadër të aktiviteteve përkujtimore për viktimat e masakrës së vitit 1999 në Rezallë.
“Në vend që këto institucione ta ngrisin zërin dhe nuk e kanë as një fjalë të vetme për t’i bërë thirrje Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian për ta rishikuar rezolutën mbi të cilën është ngritur Gjykata Speciale për t’i bërë padrejtësi luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata financojnë njerëz të tillë që burim të informatave e kanë ish pushtuesin tonë, Serbinë dhe shërbimin sekret të këtij shteti. Prandaj ne edhe atë ditë kemi thënë që do të bëjmë edhe kallëzim pranë organeve të drejtësisë”, tha ai. /teve1.info/







