Në rend të parë u ulën familjarët e dëshmorëve.
E më pas, në sallë zunë vend edhe përfaqësues institucionalë, bashkëluftëtarë e qytetarë.
Të gjithë bashkë u mblodhën për të shënuar 27-vjetorin e rënies së dëshmorëve dhe martirëve të muajit mars, në komunën e Obiliqit.
“Në këtë ditë të rëndësishme për familjen tonë, ju shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për praninë tuaj. Prania juaj sot nuk është vetëm një pjesëmarrje, por është respekt, nder dhe përkushtim ndaj sakrificës së atyre që na sollën lirinë”, tha Bukurie Halimi-familjare e dëshmorëve.
Sakrificën e të rënëve për liri, e kujtoi edhe bashkëluftëtari i të rënëve, Agron Xhemajli.
“Në dy vitet e fundit të luftës së UÇK-së, ka tre momente epike të saj. Adem Jashari, që ngriti në këmbë opinionin vendas dhe botëror. Tutje: Lufta e Rahovecit dhe Gllogjanit. Momenti i tretë: Lufta e Ramës. Këto janë tri ngjarje epike brenda një rrugëtimi: fillim, vazhdim dhe mbarim. Lufta çlirimtare është një çerek shekulli prapa nesh, por ngjarjet i kemi shumë afër”, tha ai.
Organizimi u bë nën patronazhin e komunës së Obiliqit.
Kryetari i Obiliqit Halil Thaçi, theksoi se marsi nuk është vetëm një prej muajve në kalendar.
“Është kujtesë, është sakrificë, është themeli i vet lirisë sonë. Me ndërime më të thella sot përkujtojmë dëshmorët dhe martirët e këtij muaji, të cilët dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës. Në veçanti përulje para familjeve që humbën më të dashurit e tyre, familjes Rama, Halimi, Mërlaku, Morina, Haliti, Grajçevci, Bici, Kosumi, Sefiroqa dhe të gjithë”, u shpreh ai.
Në ceremoni mori pjesë edhe i pari i kryeqytetit Përparim Rama, i cili deklaroi se kjo ditë është një dhimbje e përbashkët.
“Ata në momentet më të vështira nuk u tërhoqën, qëndruan dhe sakrifikuan gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë, që ne sot të kemi një shtet demokratik, që ne sot të planifikojmë për të ardhmen tonë”, tha Rama.
Me të përfunduar ceremonia, që të gjithë morën rrugë për homazhe tek lapidari, ku janë të gravuar emrat e të rënëve.






