Është dita e dytë që po qëndron në Kosovë.
Mirëpo të enjten, diçka ia zgjoi kureshtjen më shumë.
Ky turist nga Italia, u ndal në sheshin kryesor të Prishtinës, për të mësuar më shumë rreth masakrave serbe në luftën e fundit në vend.
Këto të fundit, u ekspozuan përgjatë sheshit “Nënë Tereza” si pjesë e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-99”
Atë që e pa këtu, thotë se përbën gjenocid.
“Po këto storje në atë kohë isha duke i përcjellur lajmet, unë jam nga Italia dhe çdo ditë në televizionin kemi parë këto masakra… Po sigurisht i lexova disa prej tyre dhe i kuptova pasi që janë në gjuhën angleze… Ishte një gjenocid s’ka fjalë tjera për t’a përshkruar… Sigurisht se këto janë të mira për t’ua rikujtuar edhe të rinjve dhe t’a njohin atë kohë të tmerrshme të 90-ave këtu”, tha Fyro një turist nga Italia.
Ajo që ndodhi gjatë luftës në Kosovë, po i intereson edhe atyre që nuk e përjetuan luftën.
Ndërsa, ekspozitën e organizuar nga “Admovere” dhe “Integra” po e mirëpresin edhe qytetarët.
“Kjo ka qenë dashur qysh prej fillimit që me qenë në opinionin ndërkombëtar edhe vendor i njoftum për të gjitha gjërat që kanë ndodhë nga pushtuesi serb me ato vrasje, krime, gjenocid që ka kryer kështu që kjo është shumë e mirëseardhur mirëpo po mendoj mos është pak e vonuar duke marrë parasysh situatën e përgjithshme, raportet që kanë mbetur edne të pazgjidhura me Serbinë, dmth mendoj që kjo ka qenë dashtë shumë më herët të kryeht por megjithatë më mirë vonë se kurrë”, u shpreh një qytetar.
E dikush tjetër thotë se nuk është bërë shumë në dokumentimin e krimeve të forcave serbe.
“Duhet ta shohë se bota ne kemi vuajtur për shënime nuk kemi mbajtur shumë evidenca, nuk kemi shkruar shumë dhe ajo që nuk shkruhet nuk mbetet, është e kotë t’i thuash në mënyrë teorike. Kur e shohin këtu për pesë minuta një shëtitje këtu, ata do ta prekin tërë tragjedinë e popullit shqiptar në kapërcim të kohës”, thotë Shaqir Foniqi ish-gazetar.
Në këtë ekspozitë janë paraqitur, në mënyrë kronologjike, 49 masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë, duke filluar nga masakra në Likoshan-Qirez (28 shkurt 1998) e deri te masakra në Familjen Bala (12 qershor 1999).“








