Një tetëvjeçar nga nga radhët e komunitetit serb në Komunën e Graçanicës ka mbetur jashtë bankave shkollore. Ani pse shtëpia e tij është ngjitur me shkollën “Sveti Sava”, Gjorgje po privohet nga e drejta për arsim.
Nëna e tij, Aleksandra Trajkoviq, pretendon se djali i saj nuk po vijon mësimin që nga 5 marsi, për shkak të, siç thotë ajo, presioneve dhe trajtimit të padrejtë nga drejtuesit e shkollës. Në anën tjetër, drejtori i institucionit arsimor, Milan Dimitrijeviq i ka mohuar këto akuza, duke theksuar se shkolla në asnjë moment nuk e ka penguar ndjekjen e mësimit.
Por, Trajkoviq deklaron për KosovaPress se pas ndihmës që kishte marrë nga Qeveria e Kosovës për ndërtimin e shtëpisë, drejtori i shkollës ka ushtruar presion ndaj saj dhe djalit të saj, duke çuar, sipas saj, deri në largimin e fëmijës nga shkolla.
Ministria për Komunitete dhe Kthim ndërton dhe ndan shtëpi për familjet e komuniteteve joshumicë në Kosovë, në kuadër të programeve për kthim dhe riintegrim. Një nga përfituesit e këtij programi është edhe familja e Aleksandra Trajkoviq në Graçanicë, e cila, sipas saj, u vendos në shtëpinë e re më 20 janar 2025 pasi çelësat iu dorëzuan nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Por pikërisht kjo sipas Trqajkoviq u bë “mollë sherri” për të dhe djalin e saj. Madje, ajo thotë se puna ka shkuar larg, deri të Qendra për Punë Sociale e kësaj komune.
“Fëmija nuk shkon në shkollë që nga 5 marsi, këtu kam problem me drejtorin Milan Dimitrijeviq, i cili po më shtyp mua si nënë vetushqyese dhe djalin tim tetëvjeçar, Gjorgjen. Kjo po ndodh për shkak se këtu Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria për Komunitete dhe Kthim, ndërtoi shtëpinë. Shtëpia filloi të ndërtohet në shtator të vitit 2024, ndërsa vitin e kaluar ministri Nenad Rashiq më dorëzoi çelësat për t’u vendosur. Unë u vendosa më 20 janar dhe sapo fëmija u vendos në këtë shtëpi tonën që e ndërtoi ministria, drejtori Milan Dimitrijeviq e dëboi fëmijën. Shkolla po shtyp një pjesë timen, parkingun, edhe rruga ka rënë në oborrin tim, në leje të ndërtimit, dhe sigurisht për këtë arsye. Presione non-stop edhe mbi mua, edhe mbi fëmijën. Drejtori madje më kërcënon se si do të më hakmerret përmes Qendrës për Punë Sociale dhe policisë, sa që unë nuk guxoj të dal as në oborr. Jam ankuar dhe kam njoftuar Ministrinë për Komunitete dhe Kthim për këto presione. Nuk kam as ujë, unë nuk kam të drejtë për jetë këtu, as unë, as fëmija im”, ka thënë ajo.
Por, kjo nuk është hera e parë që Gjorgje nuk lejohet të ndjek mësimet.
Trajkoviq thotë se kur kjo kishte ndodhur vitin e kaluar, djali i saj ishte kthyer në shkollë në nëntor nga ish-ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, ndonëse ishte ndarë nga bashkëmoshatarët dhe ishte përballur me probleme të tjera.
“Ministrja Nagavci, ma ktheu fëmijën në shkollë, më 17 nëntor [2025]. Ata që nga 18 nëntori, menjëherë, veçanërisht në këtë klasën këtu ku shihet perdja e gjelbër dhe e kaltër, aty ma ndanë fëmijën veçmas për dy muaj. Unë u ankova që fëmija të kthehej me moshatarët e vet, ata e kthyen fëmijën me shoqërinë por nuk e mësonin, nuk e mësonin fare. I grisin fletoret, i vjedhin mjetet, i marrin librat, domethënë non-stop diçka i bëhet fëmijës. Që kur Ministria dhe Qeveria e Kosovës ma ndërtoi këtë shtëpi, unë kam një presion veçanërisht të madh nga këta këtu, nga drejtori Milan Dimitrijeviq, nga psikologia Mirjana Qirkoviq dhe nga pedagogja Gordana Savriq”, ka theksuar Trajkoviq.
Ajo ka shtuar se për shkak të situatës ka vendosur edhe ta shesë shtëpinë.
“E kam vënë tabelën për ta shitur shtëpinë dhe për të ikur, nuk mund të jetoj nga këta këtu, nga Milan Dimitrijeviqi. Fëmija më ankohet, erdhi dhe tha “mami, mësuesi më ngulfati, mësuesi më ngulfati, unë shkova të bisedoj me mësuesin, ata menjëherë thirrën Qendrën për Punë Sociale dhe thurin plane se si të më arrestojnë, si të na mbyllin mua dhe babanë tim, kurse fëmijën ta marrin”, është shprehur ajo.
Por, të gjitha këto i mohon drejtori i shkollës “Sveti Sava”, Milan Dimitrijeviq. Në një përjgigje për KosovaPress, ai pretendon se është vetë nëna e 8-vjeçarit që nuk e dërgon djalin në shkollë.
“Në lidhje me pretendimet që janë paraqitur në lidhje me rastin e një nxënësi të shkollës që unë drejtoj, dëshiroj të theksoj se shkolla në asnjë moment nuk e ka ndaluar ndjekjen e mësimit dhe nuk ka pasur asnjë lloj kërcënimi të drejtuar ndaj fëmijës apo ndaj nënës së tij. Fëmija ka të drejtë të plotë të ndjekë rregullisht mësimin në përputhje me ligjin dhe me interesat e arsimimit dhe zhvillimit të tij. Për mosardhjen e nxënësit Gj.Gj., në mësim gjatë ditëve të fundit është njoftuar Qendra për Punë Sociale, pasi nëna refuzon përsëri çdo formë bashkëpunimi me shkollën dhe kjo nuk është hera e parë. Vendimi që fëmija të mos vijë në shkollë është marrë vetëm nga nëna, pa u bazuar në ndonjë vendim zyrtar të shkollës apo të institucioneve kompetente. Të gjitha pretendimet për ‘ndalim’, ‘ndarje’ apo çfarëdo forme diskriminimi paraqesin interpretime të njëanshme që nuk përputhen me gjendjen reale”, thuhet në përgjigjen e drejtorit të shkollës.
Ndërkaq, nga Qendra për Punë Sociale në Graçanicë, nuk kanë pranuar të flasin për KosovaPress.
Sonja Neshiq nga kjo qendër ka bërë me dije vetëm se “rasti është i hapur”.
“Nuk mundem të jap informacion sepse po interpretohet keq, nuk e kemi të lejuar të japim deklaratë në këtë rast… Vetëm mundem me thënë është rasti jonë për prindin Aleksandrën i hapur tek ne, kaq mund të them”, ka thënë ajo.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, djali 8-vjeçar vazhdon të jetë jashtë bankave shkollore. Nëna edhe sot ka kontaktuar KosovaPress-in, duke bërë me dije se Gjorgje nuk u lejua të jetë pjesë e procesit mësimor në shkollën “Sveti Sava”. Lidhur me këtë rast, KosovaPress i ka nisur e-mail Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, porse deri më tani nuk ka marrë një përgjigje.







