Secila komunë ka Qendrat e tyre kryesore të mjekësisë Familjare.
Por jo secili pacient trajtohet aty.
Shumë prej tyre tentojnë që një zgjidhje ta gjejnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Për këtë, nga Klinika Emergjente kanë një kërkesë.
“Mos të vijnë direkt në qendrën emergjente të Kosovës pa një udhëzim apo i padërguar prej një mjeki të caktuar, të kryhet një kontroll në ambulanten më të afërt apo kudo që është nevoja ose ku është mundësia më e afërt me ju ofruar ndihma mjekësore”, tha Naser Syla, drejtor i Emergjencës në QKUK.
Gjithë këto vizita, sipas drejtorit të Emergjencës në QKUK, po mbingarkojnë klinikën.
“Nëse mjeku e sheh të arsyeshme që duhet që ai pacient me u trajtu në qendrën emergjente dhe në QKUK është plotësisht e arsyeshme dhe në rregull, mirëpo pa asnjë dokument dhe pa asnjë udhëzim të vijë në institucionin e vetëm terciar që kemi në Kosovë me të vërtet është një ngarkesë shumë e madhe”, thotë ai.
Se ka një numër të pacientëve që veprojnë në këtë mënyrë e thonë edhe nga QKMF në Prishtinë.
Megjithëse drejtori i kësaj qendre, Valdet Hashani thotë se referimi i pacientëve nga mjekët është i ulët.
“Kohë pas kohë ne e bëjmë shkallën e referimit nga kujdesi parësor nga QKMF-ja me njësitë e saja në SHSKUK respektivisht në QKUK, shkalla e referimit ka dal nën 10 % ne e kemi të lejuar deri në 20% të bëhet shkalla e referimit. Ky numër i cili është dalë në Klinikën Emergjente nuk është vetëm nga Prishtina, është edhe nga qendrat e tjera që i referojnë në Klinikën Emergjente të Prishtinës, në spitalin e nivelit terciar. Mirëpo kemi edhe një numër të caktuar të pacientëve të cilët vetreferohen”, thotë Hashani.
Por cilat janë disa nga masat që do të mund ta lehtësonin situatën në Emergjencë?
“…fillimisht të ndalohen referimet e panevojshme. Poashtu të investohet në spitalin e Prishtinës dhe të investohet e të vazhdohen punimet për përfundimin e objektit të ri të Klinikës Emergjente, i cili ka filluar në vitin 2016 dhe ka mbetur ashtu siç është pa u rinovuar”, shprehet Bujar Vitija-gazetar i shëndetësisë
Nga QKUK shpesh kanë bërë thirrje që pacientët të mos bëjnë vizitë te ta, pa një konsultim paraprak në QMF-të e komunave ku jetojnë.



