Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për përparimin e reformave në drejtësi dhe forcimin e institucioneve që garantojnë sundimin e ligjit.
Sipas një komunikate për media, gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, veçanërisht në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Gërvalla vlerësoi lart partneritetin me shtetin britanik, duke e cilësuar atë si bashkëpunim të qëndrueshëm, të vazhdueshëm dhe shumëdimensionale.
“Republika e Kosovës në vazhdimësi vlerëson mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në proceset reformuese, në forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së institucioneve tona, si dhe përpjekjet e shtetit britanik për mbështetjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore”, ka deklaruar Gërvalla.
Gjatë takimit, ministrja përmendi edhe procesin e Vetingut dhe ndërmarrjet reformuese në sistemin e drejtësisë, si dhe funksionalizimin e plotë të Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Sipas saj, këto procese janë parakusht për ndërtimin e një sistemi drejtësie që nuk toleron kompromis.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është vijë e prerë e mandatit tonë. Republika e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë e vendosur që çdo abuzim të ndëshkohet dhe çdo qytetar të gëzojë drejtësi reale, të qasshme dhe të pakompromentuar”, tha Gërvalla.
Ajo shtoi se vetëm përmes këtyre reformave shteti forcon institucionet, garanton drejtësi funksionale dhe transparencë, si dhe siguron që sundimi i ligjit të mbetet prioritet themelor i Republikës së Kosovës.






