150 mjekë për mbi 220 mijë banorë.
Kjo është sfida me të cilën përballen çdo ditë punonjësit shëndetësor të komunës së Prishtinës.
Numri i vogël i mjekëve, po krijon vështirësi në ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Valdet Shabani, tregon se gjatë vitit të kaluar dy herë u detyruan ta anulojnë konkursin për mjekë të rinj.
Hashani ka pritshmëri që së shpejti do ta rihapin konkursin.
“Tani shpresojmë që në këtë muaj të kemi konkursin me të paktën pesëdhjetë punëtorë staf: mjekë, infermierë, stomatolog, asistent të stomatologjisë, laborant e teknikë laborant. Besoj dhe shpresoj që me këtë konkurs të fundit që do të kemi do të zbusim sado pak problemin e stafit. Meqë Prishtina ashtu siç e dini përveç se ofron shërbim për banorët e vet në 33 njësit që i kemi domethënë një QKMF, shtatëmbëdhjetë QMF dhe gjashtëmbëdhjetë AMF në nivel të fshatrave. Mungesa e stafit ekziston në të gjitha këto qendra. Andaj ne si menaxhment i lartë mundohemi të mbulojmë me punëtorët që i kemi”, ka thënë Hashani.
E sipas monitoruesve të sistemit të shëndetësisë, të dyja nivelet edhe ai qendror dhe lokal, duhet të përkujdesen më shumë për mungesën e stafit mjekësor.
“Konsideroj se Komunat, por edhe niveli qendror do të duhet që të kishin më shumë përgjegjësi që të rrisin numrat për punësimin e mjekëve, të rrisin buxhetin poashtu dhe të krijojnë infrastrukturën e duhur në mënyra që të mos ketë mungesë të mjekeve edhe nëpër zonat rurale. Ku kemi parë se përveç se ka ndodh me u shkurtuar orari për shkak të mungesës së mjekeve e poashtu edhe janë mbyllur QMF apo ambulantë në mungesë të specialistëve të mjekësisë familjare”, u shpreh Vitja.
Ditë më parë, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj bëri të ditur se për shkak të mungesë së stafit, janë detyruar që t’i mbyllin disa shërbime mjekësore.



