Si fillim u takuan.
Pasditen e kësaj të shtune, kryeministri Albin Kurti e kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza zhvilluan një takim rreth 1 orë e gjysmë.
Nuk vonoi shumë e i pari i PDK-së, doli në një konferencë për media.
Aty bëri të ditur se pati një ofertë për Kurtin.
“Ne si PDK po ofrojmë edhe një mundësi konkrete dhe të fundit për të shmangur zgjedhjet e reja. Kërkuam që të zgjidhet presidenti i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, me qëllim garantimin e stabilitetit institucional dhe tejkalimin e ngërçit politik”, deklaroi Hamza.
Ai shtoi se tani pret një sinjal nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këtë propozim.
“Ne kemi bërë një ofertë konkrete për tejkalimin e situatës. Me këtë ofertë dhe me të gjithë hapat e ndërmarrë deri më tani, mund t’ju konfirmoj se, nga sot, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet pjesë e veprimeve të mëtejme formale në kuadër të këtij procesi”, tha kryetari i PDK-së.
E pas përfundimit të konferencës së Hamzës, një sqarim para medieve e dha edhe kreu i Ekzekutivit.
Kurti bëri të ditur se gjatë takimit nuk pati ndonjë emër konkret nga PDK.
“Tash lajmi i mirë është që PDK-ja ka vendosur të propozojë një kandidat dhe kjo jep shpresë për një garë interesante në javën e ardhshme. Meqenëse kandidati i propozuar si konkluzion i mbledhjes së Kryesisë së PDK-së do të jetë propozim partiak, atëherë secila parti i ka propozimet e veta. Secila parti është veçmas. Ne nuk kemi arritur të kemi një kandidat që do të ishte konsensual. Së paku jo deri tani e që do të shkonte përtej propozimeve partiake”, u shpreh Kurti.
Ai u shpreh që duhet të ketë një garë ku emrat të dihen sa më shpejt.
“Ta shohim tash se si do të ecë kjo punë, por në rastin më të keq aty mund të ndihmojmë ne, ose mund t’i ndihmojë edhe dikush tjetër, në mënyrë që të kemi garë. Sepse ju e dini që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese para më shumë se një dekade kërkon që të ketë garë. Pra, nuk është e mundshme që të ketë një propozim dhe në fletëvotim për president të jetë veçse një emër i përveçëm”, tha Kurti.
Kurti përmendi se gjatë të dielës në takimin që do të mbahet me këshillin e LVV-së do të flitet edhe për çështjen e presidentit.



