Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi ka pritur në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në këtë takim, siç ka njoftuar Gashi është diskutuar për raportet mes dy vendeve dhe avancimin e përbashkët drejt BE-së.
“Në një frymë vëllazërore, konfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona, të cilat karakterizohen nga dialog intensiv politik dhe bashkëpunim të qëndrueshëm. Shpreha përgëzime për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe riafirmova përkushtimin tonë të përbashkët për të avancuar në procesin e integrimit, si fqinjë dhe aleatë në NATO. Theksuam rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe infrastrukturor, veçanërisht realizimin e projekteve si Korridori 8, që përbën një element jetik të partneritetit dhe lidhjeve tona”, ka shkruar Gashi.
Ai tha se në takim u konstatua roli i pazëvendësueshëm të shqiptarëve si urë lidhëse mes shteteve tona, ndaj partneriteti strategjik do të vijojë të forcohet në frymën e miqësisë, besimit dhe vizionit të përbashkët europian.









