Prishtina është bërë pikënisja e një projekti të rëndësishëm katërvjeçar për barazinë gjinore në sport, pas mbledhjes së Komisionit “Gratë dhe Sporti” të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) që po mbahet në kryeqytet.
Zëvendëspresidentja e këtij komisioni, Rejhan Halili, bëri të ditur për KosovaPress, se ky projekt afatgjatë synon të promovojë dhe të forcojë barazinë gjinore në sport në të gjitha vendet anëtare të ICMG-së. Sipas saj, takimi në Prishtinë shërben për të diskutuar pikat kryesore dhe hapat e implementimit të këtij plani ambicioz.
“Sot jemi mbledhur këtu dhe kemi, kemi filluar një projekt që do të zhvillohet në një afat të gjatë katërvjeçar, domethënë është barazia gjinore në sport, në vendet anëtare të ICMG-së. Këtu janë prezentë të gjitha anëtaret e komisionit. Një pjesë është online dhe të tjerat janë prezent dhe jemi duke, duke biseduar, duke shkuar nëpër projektin dhe pikat kryesore që do të, do të implementohen në projekt”, theksoi Halili.
Halili theksoi se suksesi i jashtëzakonshëm i Kosovës në sportin e grave, veçanërisht në xhudo, ka krijuar një formë të diplomacisë sportive që po lehtëson punën e zyrtarëve të sportit kosovar në arenën ndërkombëtare.
“Duke pasur parasysh sportistet tona të arta të xhudos, Majlinda, Distria, Nora, Laura, ato të cilat po na shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare. Marr parasysh se Distria veç në, u rangua e para në botë. Është një, një kënaqësi e madhe që ne po kemi çfarë t’u themi dhe është, është me të vërtetë një privilegj që ato veç e kanë krijuar një diplomaci që edhe neve po na lehtësojnë punën nëpër arenën ndërkombëtare. Do të thotë në momentin që i thua që je prej Kosovës, ata atëherë menjëherë e dinë se flamuri ynë po ngritet në sportin e xhudos dhe unë shpresoj shumë që këtë vit të kemi shumë sportistë në Lojëra Mesdhetare dhe të kthehemi me medalje të arta, të bronzta apo edhe të argjendta”, deklaroi Halili.
Ndërsa Hanish Sawsan, e cila vjen nga Libia dhe është njëra nga anëtaret e komisionit deklaroi se është e befasuar me atë që ka parë në Kosovë, derisa shtoi se do të kishte dëshirë që të gjitha gratë në botë të arrijnë sukseset që i kanë arritur vajzat e Kosovës në sport.
“Jam vërtet e befasuar, në Kosovë gratë po bëjnë punë të shkëlqyer…Kur erdha këtu dhe biseduam së bashku në komunitet, nuk jam më e befasuar sepse keni gra të forta këtu, një komunitet të fortë, dhe zonjat punojnë shumë. Dhe jo vetëm gratë, për të qenë e sinqertë, edhe drejtori i komitetit, presidenti, ata kanë një mbështetje shumë të mirë. Ata japin fuqinë për të punuar, dhe kanë të drejtë. Kur vendos një president të mirë dhe një punëtor të mirë, natyrisht që nuk do të jesh i befasuar, sepse kur ke një ide, ke nevojë për mbështetje. Kur merr mbështetje, kjo është gjithçka që të duhet. Presidenti dhe zëvendëspresidenti thonë se janë shumë krenarë për gratë, që kanë fituar medalje, dhe unë vërtet dëshiroj që të gjitha vajzat në botë, të gjitha gratë në botë, të ndihen njësoj dhe të arrijnë po aq sa gratë e Kosovës”, theksoi Saësan.
Rëndësi të veçantë këtij takimi i dha edhe prania e Sekretarit të Përgjithshëm të ICMG-së, Iakovos Filippousis. Përkrahja e tij për Kosovën u cilësua si shumë e madhe, ndërsa u theksua se ai ishte një ndër iniciatorët që kjo mbledhje të mbahej pikërisht në Prishtinë. Gjatë vizitës së tij, Filippousis solli edhe ftesat zyrtare për pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.








