Kosova më 26 mars do të luajë kundër Sllovakisë në Bratislavë.
Por “Dardanët” pritet të paraqiten pa kapitenin Amir Rrahmani në ndeshjen e rëndësishme për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Ndeshja Sllovaki – Kosovë i takon gjysmëfinales së plejofit për Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanda.
Mediumet lokale të Napolit kanë bërë të ditur se Amir Rrahmani pritet të mungojë tre deri katër javë, me mundësi të pushimit edhe më të gjatë.
Mbrojtësi i qendrës u zëvendësua pas lëndimit të pësuar në ndeshjen që Napoli e zhvilloi kundër Romës, fundjavën e kaluar.
Rrahmani në minutën e 69-të shkaktoi penallti dhe mbeti i lënduar. Ai ka lëndim muskulor në këmbën e majtë.
“Rrahmani pritet të mungojë për tre deri në katër javë. Për të ruajtur më tej gjendjen e tij, Rrahmanit do t’i jepet mundësia të kthehet në fushë menjëherë pas ndeshjeve të përfaqësueseve në fund të marsit, duke e bërë atë të gatshëm për ndeshjen e Napolit kundër Milanit në fillim të muajit prill”, shkruan “Calcio Napoli 24″.
“Prania e tij në gjysmëfinalen e plejofit për Kupën e Botës kundër Sllovakisë, e planifikuar më 26 mars, është po ashtu në rrezik serioz. Stafi i ekipit të Kosovës ka pasur mundësi të flasë me lojtarin dhe mundësia që Amiri të jetë i pranishëm me ekipin për të ngritur moralin e shokëve të tij të ekipit, por pa luajtur, është shumë e madhe”.
Ndërkohë edhe Napoli ka bërë të ditur se lëndimi i Rrahmanit është serioz.
“Pas lëndimit të pësuar gjatë ndeshjes kundër Romës, Amir Rrahmani iu nënshtrua testeve në Spitalin Pineta Grande, të cilat zbuluan këputje të shkallës së lartë në muskulin e këmbës së majtë. Ai tashmë ka filluar procesin e rehabilitimit”, shkruan në njoftimin e Napolit.
Rrahmani edhe më herët gjatë këtij edicioni ka pasur telashe me lëndim të muskujve.
Me Rrahmanin në fushë, Napoli ka pësuar 16 gola në 22 ndeshje. Pa Rrahmanin në fushë, Napoli ka pësuar 26 gola në 15 ndeshje.










