Nikoqiri iu priu mysafirëve.
Krejt kjo, për t’i prezantuar ambientet e reja.
Kështu të hënën, u përurua qëndrimi ditor për të moshuarit në Gjilan.
E gjitha kjo, falë punës së Shoqatës Humanitare “ Jetimat e Ballkanit” dhe Komunës së Gjilanit.
Të hënën, më të lumturit, u shprehen vetë përfituesit.
“Ndjehemi shumë të kënaqur e falënderojmë Halil Kastratin dhe stafin e tij. Ka punuar më shumë se sa qeveria. Dy mijë shtëpi me i ndërtuar edhe me i ndërtuar këto shtëpi të pleqve në shtatë komuna kush e ka bërë përveç atij?”, ka thënë një pensionist.
“I jemi shumë mirënjohës kryetarit të Komunës Alban Hysenit edhe Halil Kastratit për këtë mirësi që na e kanë bërë, me të vërtete jemi shumë të lumtura”, u shpreh një pensionist tjetër.
Por, ky projekt nuk u ndal me kaq.
Të hënën në Gjilan u përurua edhe një kuzhinë humanitare si dhe një bujtinë për studentët.
Për koston e gjithë projektit, foli i pari i Gjilanit.
“Investimi i përbashkët prej rreth 2.5 milionë euro, padyshim që edhe për nga vlera është investim i madh, por ajo që peshon më shumë sot është barra që po ua heqim nga supet familjeve tona”, ka thënë Hyseni.
Për kontributin e tij në këtë qytet, hoxhë Halil Kastrati, u vlerësua me titullin “Qytetar Nderi i Gjilanit”
“Këtë çmim ia dedikoj stafit tim dhe të gjithë atyre që ndajnë nga kafshata e tyre dhe kontribuojnë për projekte të tilla e ata janë donatorët. Janë 300 mijë, e mira e krejt kësaj është që prej themelimit kurrë donacione te huaja nuk kemi pas, kemi pas veç shqiptarë” u shpreh Kastrati.
I lumtur me këtë titull, duket se nuk ishte vetëm hoxha.
“Shpallja e hoxhës “Qytetar Nderi” është një dëshmi e mirënjohjes institucionale, popullore e gjithë kontributit të tij shembullorë në Kosovë. Hoxha Halili, është i gjithë Kosovës, është shembull i një qytetari aktiv, humanisti dhe atdhetari që në kohë paqe jeton amanetin e brezave të tërë që sakrifikuan gjithçka që kombi ynë të jetë i bashkuar dhe i përparuar”, ka thënë Jashari.
I pranishëm në këtë ngjarje, ishte edhe ministri për punë, familje dhe vlera të luftës.
“Sot, në fakt kjo është ngjarja ime e parë në kapacitetin e Ministrisë për Familje, Punë dhe Vlerat e Luftës Çlirimtarë të Kosovës. Më vjen mirë që në mandatin tim të parë si ministër, po e filloj me një projekt që prek arkivin e shtetit tonë, të moshuarit si të ardhmërinë e shteti tonë studentit”, ka theksuar Hoti.
Ndryshe, shoqata humanitare “Jetimët e Ballkanit” njoftoi se të mërkurën do të nisin edhe 50 shtëpi të tjera në qytetin e Prizrenit.






