Ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka uruar Kuvendin e Republikës së Kosovës për nisjen e Legjislaturës së X-të, si dhe Qeverinë e re të dalë nga zgjedhjet e fundit.
Përmes një postimi në Facebook, Spiropali ka shprehur urimet më të përzemërta për Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, Kryeministrin Albin Kurti dhe Zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, duke u dëshiruar suksese në përgjegjësitë e reja shtetërore.
“Rrugëtim të mbarë dhe shumë suksese Kuvendit të Republikës së Kosovës në Legjislaturën e X-të dhe Qeverisë së re! Urimet më të përzemërta për Kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, për Kryeministrin Albin Kurti dhe Zv.Kryeministrin e parë, Ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Ju priftë e mbara në këtë përgjegjësi të naltë në shërbim të qytetarëve dhe të forcimit të mëtejshëm të shtetit demokratik të Kosovës”, është shprehur Spiropali në mesazhin e saj.
Ajo ka theksuar se Kosova mbetet pjesë e pandashme e zemrës kombëtare dhe e horizontit të përbashkët evropian, duke nënvizuar se Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës me mbështetje të sinqertë dhe të palëkundur për sigurinë, forcimin e institucioneve dhe rrugëtimin drejt integrimit në familjen euroatlantike.
Në përfundim, ministrja ka uruar suksese në këtë kapitull të ri për institucionet e Kosovës, në shërbim të paqes, zhvillimit dhe dinjitetit të qytetarëve.
“Kosova është pjesë e pandashme e zemrës sonë kombëtare dhe e horizontit tonë të përbashkët europian. Shqipëria do të qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës, me mbështetje të sinqertë dhe të palëkundur për sigurinë, institucionet dhe rrugëtimin e saj drejt familjes euroatlantike. Suksese në këtë kapitull të ri, në shërbim të paqes, zhvillimit dhe dinjitetit të qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar Spiropali.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës me 66 vota për sonte votoi Qeverinë e re të vendit.
Kundër ishin 49 deputetë, ndërsa abstenime nuk kishte.







