Mahmoud Hammad, i përkulur mes një grumbulli rrënojash që dikur ishte shtëpia e tij në Gaza , mbledh dheun në një sitë të madhe dhe e tund atë, duke e parë me kujdes përpara se ta hedhë jashtë.
Në ditët e fundit, ai pati fat pasi kocka të vogla u shfaqën, të cilar ai beson se duhet t’i përkasin vajzës së palindur që gruaja e tij shtatzënë mbante në bark kur një sulm ajror izraelit goditi ndërtesën e familjes më shumë se dy vjet më parë, duke vrarë gruan dhe pesë fëmijët e tyre.
Ai i shtoi fragmentet në një kuti me eshtra që i kishte mbledhur gjatë muajve të tërë duke gërmuar vetë në rrënoja, duke përdorur kazma, lopata dhe duart e tij.
“Nuk do t’i gjej të gjithë”, tha ai.
Më 6 dhjetor 2023, një sulm izraelit goditi ndërtesën gjashtëkatëshe ku jetonin familjet e Hammadit dhe vëllait të tij në lagjen Sabra të qytetit të Gazës.
Aty gjendej, Hammad, 39 vjeç, gruaja e tij Nema Hammad, e cila ishte nëntë muajshe shtatzënë, dhe pesë fëmijët e tyre, të moshës 8 deri në 16 vjeç, të cilët po mbaronin mëngjesin.
Pas sulmit, Mahmoud Hammad u dërgua në një klinikë aty pranë me lëndime të shumta, duke përfshirë fraktura në gjoks, legen, gju dhe gjakderdhje të brendshme në gjoks.
Gruaja, fëmijët, vëllai i tij, kunata dhe katër djemtë e tyre u vranë gjithashtu.
Pas sulmit, fqinjët arritën të gjenin trupin e djalit të tij të madh, Ismailit, dhe të dy fëmijëve të vëllait të tij, kurse pjesa tjetër mbeti nën rrënoja.
Rreth 8,000 njerëz mbeten të varrosur nën rrënojat e shtëpive të tyre të shkatërruara nga bombardimet e Izraelit gjatë luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
Kurse, më shumë se 700 trupa janë nxjerrë nën ndërtesa që nga fillimi i armëpushimit, tha për Associated Press Zaher al-Ëaheidi, kreu i departamentit të të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë.
Secili prej tyre i shtohet një liste të të vdekurve nga lufta, tani më shumë se 72,000, sipas ministrisë.
Ndërsa sulmet ajrore dhe ato tokësore vazhduan, nxjerrja e shumicës ishte e pamundur.
Gërmimi është bërë më i vështirë nga mungesa e buldozerëve dhe pajisjeve të rënda, të cilave Izraeli i ndalon të hyjnë në Gaza.
Puna e shpëtimit mbetet e pamundur në më shumë se 50% të Rripit të Gazës që mbetet nën kontrollin e ushtrisë izraelite. Atje, ushtria ka hedhur në erë dhe shembur sistematikisht ndërtesa, duke zvogëluar më tej mundësinë e gjetjes së ndonjë trupi të humbur brenda.









