Kosova ka rënë për tre pozita në Indeksin për Perceptimin e Korrupsionit, duke u renditur në vendin e 76 nga 186 vende në total. Shkak i këtij rezultati konsiderohet edhe mungesa e institucioneve funksionale.
Çdo vit, Transparency International bën vlerësim të korrupsionit të perceptuar në sektorin publik, ku niveli më i lartë paraqitet me zero e deri në 100.
Për vitin 2025, Kosova grumbulloi 43 pikë. Një më pak se në vitin 2024.
Kjo shtetit i kushtoi më rënie të tre pozitave, nga 73 në vendin e 76.
Fajin për këtë rezultat për Kosovën, vlerësohet se e ka edhe mungesa e institucioneve funksionale.
“Në kuadër të raportit përfshihen gjatë një viti ndodhitë ose ngjarjet që kanë cënuar luftën kundër korrupsionit. Një ndër to është mungesa e Qeverisë dhe mungesa e Kuvendit, që shkaktuan për një vit të tërë mungesë të kontrollit qeveritar të vendimeve dhe çdo gjë tjetër. Po ashtu, kemi mungesën e reformës në drejtësi, e cila ka mbetur pa u miratuar nga ana e Kuvendit.”, ka thënë Spahija.
Rënia e Kosovës në ranglistë ishte e papritur në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
“Një lëvizje e cila nuk është pritur fillimisht nga Agjencia. Ta them të vërtetën kam pritur që në rastin më të keq, ne të qëndrojmë në vendin e njëjtë, ashtu siç ka qenë vitin e kaluar, për shkak edhe të rrethanave që janë cekur në raport, por jo që të jemi të ranguar më keq. Sido që të jetë kjo është gjendja reale, ky është percepsioni i publikut për gjendjen e korrupsionit në Kosovë. Në këtë percepsion, besoj se kemi të gjithë në nga institucionet nga pak faj, qoftë me punën tonë apo mospunën tonë.”, u shpreh tutje Buleshkaj.
Shtetet e rajonit, përpos Malit të Zi që është në vendin e 65, shtetet tjera janë më keq se Kosova.
Shqipëria në vendin e 91, Serbia në vendin e 116, Maqedonia e Veriut në vendin e 84.






