Aleanca më e madhe ushtarake, NATO sërish ka kërkuar dorëzimin e kryeterroristit, Millan Radojiciq.
Ditë më parë, sekretari i NATO-s, Mark Rutte bëri thirrje që Radojiciq dhe grupi i tij, të dalin para drejtësisë dhe se për këtë, që nga sulmi në Banjskë të Zvecanit më 24-shtator, Rutte i kërkon presidentit serb, Aleksandër Vuciq, përgjegjësi.
Gazetari nga Beogradi, Slobodan Georgiev, thotë për Tëvë1 se Millan Radojiciq po vazhdon ndërtimet e hoteleve përreth Kapaonikut.
Sipas tij, nuk do të ketë dorëzim të tij nga ana e presidentit Vuciq.
“Kur ka ndodhur kjo, dhe ka ardhur kërcënimi nga SHBA-të kur Blinkeni ka thirrur Vuçiçin, kanë reaguar sikur e sollën në gjykatë, e dëgjuan, e ai erdhi (Radojçiçi) erdhi me krejt ekipin e tij, me automobila e krejt, dhe kaq.
Asgjë nuk ndodh në këtë drejtim, nuk ka asnjë proces ndaj, e Millan Radojçiç, sa e di unë, viteve të fundit ka përfunduar disa hotele nëpër rajonin e Kopaonikut. Nga këtu duket se nuk ka më pushtet nëpër veriun e Kosovës, dhe është përqendruar në punët në Serbinë qendrore. E kanë firmën e madhe në Novi Pazar, “Novi Pazar Put,” punojnë shumë, dhe ai me Zvonko Veselinoviçin janë bërë miliarderë. Kjo është situata”, thotë ai.
E njohësi i sigurisë, Arben Dashevci vlerëson se këtë vit sulmi në Banjskë do të zgjidhet.
“Ajo përkëdhelja ose politika e butë ndaj Serbisë, po mbaron pra Banjska, dorëzimi i kriminelëve të Banjskës nuk ka ku shkon. Ata do të dorëzohen deshi ose nuk deshti sepse nëse e keni shikuar edhe Bashkimi Evropian nuk e ka atë qasjen karshi Serbisë, pra qasjen e butë ndaj Serbisë, kërkon llogari dhe Banjska ose problemi i Banjskës unë mendoj se këtë vit do të zgjidhet. Presioni vetëm se po rritet çdo ditë e më shumë”, shprehet Dashevci.
Sipas Dashevcit, grupi i Millan Radojiciq vazhdon të qëndron pranë parlamentit duke ruajtur pushtetin e presidentit serb, Vuciq.
“Ata qëndrojnë pranë parlamentit të Serbisë, qëndrojnë kundër qytetarëve të Serbisë atje, merren me aktivitete, çfarë është më e keqja, marrin tenderë dhe ka ende përfitime, para të pista që quhet në aspektin e krimit ekonomik. Andaj mendoj se bota këtë po e sheh, sidomos aspekti i sigurisë dhe inteligjencës”, thotë ai.
Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti sërish i ka kërkuar faktorit ndërkombëtar, dorëzimin e Millan Radojiciq tek institucionet e Drejtësisë në Kosovë.







