Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për një rast grabitjeje të armatosur që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Prizren, ndërsa një i dyshuar tjetër ndodhet ende në arrati.
Sipas njoftimit të Policisë, me datë 03.02.2026, rreth orës 01:10, janë pranuar ankesa nga dy viktima, një mashkull dhe një femër, të cilët kanë raportuar se janë grabitur nga tre persona të maskuar dhe të armatosur me thikë dhe pistoleta.
Të dyshuarit, nën kërcënim, u kanë marrë viktimave një shumë parash që ata kishin me vete.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ka intervistuar viktimat dhe, pas konsultimit të hetuesit kujdestar me Prokurorin e Shtetit, ka nisur procedimi penal për rastin.
Pas një pune intensive hetimore nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, janë identifikuar katër persona të dyshuar.
Njëri prej tyre është arrestuar pranë një lokali në Prizren, ku gjatë kontrollit i është gjetur një armë në trup, ndërsa në automjetin e tij janë sekuestruar një armë tjetër, dy maska, doreza dhe rroba që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjes.
Me një plan taktik të mbështetur nga njësitë tjera policore, edhe dy të dyshuar të tjerë janë arrestuar në një lokacion tjetër në Prizren.
Po ashtu, me urdhër të Prokurores së rastit, janë realizuar bastisje në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve dhe në një lokal, ku janë gjetur prova shtesë që ndërlidhen me rastin.
Dy nga të dyshuarit, në prani të avokatëve mbrojtës, kanë pranuar kryerjen e veprës penale.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, të dyshuarit K.K. (20 vjeç), Sh.G. (20 vjeç) dhe L.G. (36 vjeç) janë ndaluar për 48 orë.
Ndërkohë, i dyshuari i katërt, V.S., nuk është hasur në vendbanimin e tij dhe është në arrati.
Rasti po vazhdon të hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit./teve1.info/







