Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka vënë nga sot në dispozicion të publikut një kanal të ri komunikimi – linjën telefonike pa pagesë 0800 46 757 – në kuadër të fushatës informuese për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.
Sipas njoftimit të MPB-së, kjo linjë synon të sigurojë informim të shpejtë dhe të saktë për qytetarët, të huajt dhe vizitorët në Republikën e Kosovës.
Përmes këtij numri, palët e interesuara mund të marrin informacione pa kosto të shërbimit telefonik lidhur me përcaktimet ligjore që rregullojnë qëndrimin e të huajve dhe qarkullimin e automjeteve.
Linja pa pagesë do të ofrojë informacione në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze, me qëllim të lehtësimit të qasjes në informata për të gjithë interesuarit.
Nga MPB bëhet e ditur se kjo linjë telefonike është një prej masave të planifikuara për ofrimin e informacioneve të nevojshme, me synim lehtësimin e qëndrimit të vizitorëve dhe të huajve në Kosovë, si dhe rregullimin e qarkullimit të automjeteve të regjistruara jashtë vendit.
Fushata informuese do të zgjasë deri më 15 mars 2026, me qëllim të rritjes së transparencës, lehtësimit të qasjes në informata dhe sigurimit të respektimit të legjislacionit në fuqi.









