Në hyrje të ndërtesës janë të vendosura ende pankartat e Listës Serbe.
E lëvizjet e banorëve të martën në këtë lagje të Mitrovicës së Veriut, ishin të rralla.
Por brenda këtij objekti, punë pati Policia e Kosovës.
Këta të fundit morën informatën se në këtë bodrum gjendet një sasi e konsiderueshme e armëve.
Se çfarë u gjet, detaje për Tëvë1, dha zëvendës-drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Kemi gjetur, dhe kemi pranuar informata nga qytetarët se në bodrume të caktuara mund të ketë armatim. Ne kemi bastisur një bodrum që është afër shkollës “ Teknika” këtu në Mitrovicë të Veriut, kemi gjetur një sasi të armatimit, janë diku tre kallashnikov, ka jelek antiplumb, fishekë, janë mbi 700, pajisje të ndryshme ushtarake të cilat janë përdorur apo kanë mbetur nëpër këto bodrume”, ka thënë Elshani.
Elshani tutje bënë të ditur se informacionet po i pranojnë nga qytetarët serbë.
Kjo sipas tij, bëri që arme dhe pajisje ushtarake së fundmi të konfiskohen në lokacione të ndryshme.
“Ne në vazhdimësi punojmë me qytetarë, informacionet të cilat ne i pranojmë janë të besueshme, edhe konsiderohet se janë të besueshme pasi që gjejmë armatime të ndryshme nëpër vende të zbrazëta ose shtëpi ta pabanuara ose bodrume ose vende të ashensorëve. Informacione që i kemi pranuar edhe më herët por i konkretizojmë tash” , u shpreh tutje Elshani.
Ditë më parë, policia e Kosovës ka sekuestruar armë dhe municion edhe në disa shtëpi ta pabanuara në Zubin Potok dhe Zveçan.



