Bashkimi Evropian ka shprehur “shqetësim serioz” për dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë për të miratuar rezultatet përfundimtare për Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
“BE-ja përsërit thirrjen e saj për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit të BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve, dhe u bën thirrje të gjitha partive të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën”, tha zëdhënësi i BE-së në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se është e rëndësishme që të gjithë kandidatët e zgjedhur të jenë në gjendje t’i marrin mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.
KQZ-ja i miratoi më 31 janar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, por jo rezultatet për Listën Serbe.
Për këtë ka reaguar edhe ambasada e ShBA-së në Kosovë dhe OSBE.
Moskonfirmimi i nëntë anëtarëve të Listës Serbe në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës u dënua ashpër nga vetë partia dhe Beogradi zyrtar.








