Nga viti 2011 për pesë vjet shërbeu si presidente e Kosovës.
Madje Atifete Jahjaga ishte presidentja e parë grua në Kosovë atëherë.
Por 15 vite pas, emri i saj u përfol përmes disa mesazhe si e përfshirë në dosjen Epstein.
Termi “Dosja Epstein” përdoret për mijëra dokumente gjyqësore që flasin për lidhjen e një financieri amerikan Jeffrey Epstein, i akuzuar për trafikim dhe shfrytëzim seksual ndaj vajzave të mitura.
Por përfshirjen në këto dokumente dhe takimin me të po e mohon ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein” janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë. Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar”, ka thënë ajo në reagim.
Pas Jahjagës, si emër u përmend edhe ish presidenti, Behgjet Pacolli.
Ky i fundit, nuk i ktheu televizionit përgjigje në pyetjet se a është takuar ndonjëherë me Jeffrey Epstein ose a ka komunikuar më të.
Për njohësin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Lutfi Bilalli, përmendja e këtyre dy figurave, Jahjaga dhe Pacolli nuk lë shije të mirë.
Por ai thotë se duhet të pritet për të parë materialet më saktësisht.
“Kjo dosje ka 3 milionë dokumente, mbi 100 mijë foto dhe mesazhe e video të ndryshme të cilat me të vërtetë janë shokuese, por për momentin mendoj që përmendja e këtyre dy emrave nuk lë fort shije të mirë por besoj që ende nuk kemi diçka precize dhe të sqaruar mirë, me qenë se Jahjaga ka mohuar sot dhe ka mohuar një përfshirje të tillë duke thënë se as nuk e njeh Epsteinin. Mirëpo deri sot çka dimë mund të them që po dihet për të gjithë, por ajo çka nuk e dimë do të jetë shokuese, jo vetëm për liderët në Ballkan por edhe më gjerë andaj mendoj që duhet pritur për këto dy figura çka do të dalin materialet e tjera”, thotë Bilalli.
Si emër që ka komunikuar me Jeffrey Epstein u përmend edhe ish emisari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.
Lajcak që së fundi mbante pozitën e këshilltarit të kryeministrit sllovak, Robert Fico ofroi dorëheqje nga kjo pozitë menjëherë.






