Mediat në Spanjë kanë shkruar shumë për Vedat Muriqin, pas “hat-trickut” të tij në fitoren 3:2 të Mallorcas ndaj Athletic Bilbaos. Sulmuesi 31-vjeçar shkëlqeu të shtunën në ndeshjen e xhiros së 20-të të La Ligas, duke shënuar të gjithë tre golat e skuadrës së tij.
Ylli kosovar po kalon formë jetësore. Tashmë i ka 14 gola në 19 ndeshje kampionale këtë edicion. Vetëm Kylian Mbappe i Real Madridit ka më shumë gola se Muriqi në La Liga, 19.
Gazeta e madhe spanjolle, Marca, ka shkruar për mundësinë e transferimit te Muriqi te ndonjë skuadër tjetër. Nga Turqia vazhdimisht ka interesim prej top-skuadrave për Muriqin. Ai më herët luajti me plot sukses te Fenerbahçe, ndërsa bëri zhvillim në karrierë edhe te Rizespori, Gençlerbirligi e Giresunspori.
“Jam i lumtur këtu, kam kontratë dhe gjërat janë si janë. Nëse një sulmues shënon shumë gola, ofertat do të vijnë. Klubi vendos për mua e më pas unë”, ka thënë Muriqi, që ka përsëritur disa herë se është i lumtur te Mallorca.
Ai ka theksuar se drejtori sportiv, Pablo Ortells, i ka thënë se nuk do ta shesë.
Për Muriqin ishte tregolëshi i parë në Spanjë. Në fakt tre gola në nivel klubesh nuk i kishte shënuar për më shumë se një dekadë.
“Kam folur me Pablo Ortells dy ditë më parë dhe e kam lënë në duart e tij. I kam thënë se nuk mund të flas pasi e kemi vazhduar kontratën. I kam thënë se nëse klubi shpëton nga paratë e shitjes sime, atëherë ai duhet ta bëjë këtë, por nuk do të jem i lumtur. Ai tha jo dhe unë jam i lumtur këtu”, ka thënë Muriqi.
Pikët e siguruara me golat e Muriqit janë shumë të vlefshme për Mallorcan. Ai ka shënuar gati rregullisht këtë edicion, por Mallorca mblodhi pak pikë. Dhe është në garë për të mbetur në La Liga.
“Për këtë kemi folur gjithë javën. Kemi kthyer atë që na ka munguar, ekipin që lufton për çdo top. Kështu fitohen ndeshjet. I dimë gabimet tona, këto tri pikë na ndihmojnë të përmirësojmë renditjen”.
Mallorca tani i ka 21 pikë dhe ka avancuar për disa pozita në renditje.
Për Muriqin dhe mundsinë e largimit të tij ka folur edhe trajneri Jagoba Arrasate.
“14 gola. Që ka ngjallur interesim duket plotësisht normale për mua, por nuk pres ndonjë lëvizje. Ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne. Me golat që i shënon, edhe më shumë. Duhet të përfitojmë prej të gjithë golave të tij. Ai ishte i jashtëzakonshëm, na ndihmoi të fitojmë. Jam i lumtur për të dhe i lumtur që golat e tij na ndihmuan të fitojmë. Shpresoj se do të vazhdojë të shënojë”, ka theksuar Arrasate.
Dy gola të Muriqit janë shënuar pas penalltive. Ai e realizoi golin e tretë nga pika e bardhë, ndërsa të dytin pas një topi të kthyer nga portieri, pasi vet gjuajti penallti. Dy penalltitë për Mallorcan dhe dy kartonat e kuq për lojtarët e Bilbaos, njëri prej tyre jashtë fushës, janë komentuar shumë po ashtu. Te Bilbao ishin të pakënaqur me referimin.
Muriqi tani i ka 48 gola në La Liga. Është golashënuesi i dytë më i mirë i skuadrës në histori, sa i takon kampionatit. Rekordi i Samuel Eto’o prej 54 golave, pritet të bie që këtë edicion.











