Erdhën një nga një.
Katër të akuzuarit për keqpërdorim me rezerva shtetërore, ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ish zyrtarët e MINT Irfan Lipovica e Hafiz Gara, si dhe biznismeni Ridvan Muharremi, u ulën në bankën e të akuzuarve në daljen e tyre të parë para Gjykatës.
Aktakuza që rëndon mbi ta, sipas kryetarit të trupit gjykues është e redaktuar në disa pjesë të saj, për shkak të konfidencialitetit
“Janë të redaktuara nga prokurori special, pasi që janë vlerësuar se në ato pjesë përbën sekret shtetëror. Po ashtu, në aktakuzë kemi të propozuar edhe dëshmitarë anonim”, ka thënë Syla
Meqë rezervat shtetërore hyjnë në kategorinë e sekreteve shtetërore, qysh në nisje të seancës, gjykatësi kërkoi mendimin e palëve në lidhje me publicitetin e seancës.
“Shqyrtimi gjyqësor duhet të jetë i hapur, me përjashtim të situatave kur diskutohet gjatë shqyrtimit gjyqësor për pjesët të cilat janë konsideruar si sekrete”, u shpreh Gashi.
Ndryshe u shprehën mbrojtja e Hajdarit dhe Lipovicës.
Ata bën kërkesë për mbyllje të seancës, në të kundërtën ata kërkuan nga Gjykata që t’i kërkojë prokurorisë fillimisht deklasifikimin e dokumenteve sekrete.
“Po tentojnë të na imponojnë edhe neve të bëhemi pjesë e këtij procesi të paligjshëm i cili ngërthen në vete edhe pasoja të ndjekjes penale. Për këtë arsye, konsideroj se pa deklasifikimin e këtyre dokumenteve asnjë seancë nuk mund të mbahet publike”, ka thënë Latifaj.
“T’i propozojë prokurorisë inicimin për deklasifikim të dosjes së rezervave shtetërore, e më pas të vendosë se a do të mbahen të hapura apo të mbyllura seancat”, u shpreh Alaj.
Në anën tjetër, mbrojtja e Garës dhe Muharremit, ia lanë në diskrecion gjykatësit që të vendosë për këtë çështje.
E kryetari i trupit gjykues, mori aktvendim për mbylljen e seancës.
E pas përfundimit të seancës fillestare të mbajtur me dyer të mbyllura, Rozeta Hajdari ripërsëriti shprehjen e pafajësisë.
Paraprakisht, gjykatësi potencoi se kushdo nga palët që zbulon informacione nga shqyrtimi gjyqësor do të mbahet përgjegjës.
Në rastin e njohur si rezervat shtetërore, ministrja Hajdari, dy zyrtarët e MINT-it, Gara dhe Lipovica, si dhe afaristi Ridvan Muharremi, akuzohen se e dëmtuan buxhetin e shtetit në vlerën e rreth 2.9 milionë eurove.



