Policia e Kosovës ka njoftuar se procesi zgjedhor i mbajtur të dielën ka kaluar në përgjithësi i qetë dhe pa incidente serioze.
Sipas njoftimit zyrtar, zbatimi i planit operativ policor, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi i mirë ndërinstitucional, kanë ndikuar që procesi zgjedhor të zhvillohet pa ndonjë incident madhor që do ta cenonte apo pengonte mbarëvajtjen e votimit.
“Zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional kanë ndikuar pozitivisht që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa ndonjë incident serioz. Një nga qëllimet kryesore të planit operativ ka qenë garantimi i një ambienti të sigurt për votim, si dhe inicimi dhe procedimi i çdo vepre të mundshme penale në koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Po ashtu, Policia ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, gjatë ditës janë iniciuar pesë raste penale që lidhen me procesin zgjedhor. Këto raste përfshijnë veprat penale: cenimi i fshehtësisë së votimit, cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve, pengimi i procesit të votimit dhe asgjësimi i dokumenteve të votimit.
Personat e përfshirë në këto raste, me vendim të prokurorëve kompetentë, janë liruar në procedurë të rregullt. Sipas Policisë, janë trajtuar gjithsej 30 informata, ndërsa në pesë raste janë evidentuar shënime zyrtare.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka theksuar se, në koordinim me organet e drejtësisë, janë trajtuar dhe iniciuar edhe raste të tjera penale që nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor.







