Autore: Jona Kelmendi
Njëra pas tjetrës, makina të cilat po hyjnë në Kosovë përmes pikës kufitare të Merdares.
Gjatë ditëve të fundit, është shtuar numri i automjeteve që hyjnë në Kosovë, kryesisht nga bashkatdhetarët që po vinë në vendlindje.
E sipas tyre kalimi kufitar po zhvillohet pa vonesa të theksuara.
“Mirë, ska pas kallabllak nëpër kufi 2-3 kerre. Që 24h jom tu udhtu se me mbesa e me qika e u dashke mu nal me pushu”, u shpreh Enver Zeneli.
Ani pse rrugën e kanë bërë nga Serbia, thonë që nuk kanë pas probleme.
“Mirë valla kemi kalu s’kemi prit kerkun s’ka pas guzhëm. Jemi nis në ora 4 prej atje i kemi bo diku 9 orë. Jemi ardh për dyjat edhe për drejtën e votës edhe për pushim për vitin e ri”, u shpreh Mustaf Musa.
“Shumë mirë kemi kalu rrugës jemi nis mbrëmë ka 19:30 tash mbërritëm, nuk ka pas probleme kurrfarë as nëpër kufi nuk ka pas kallabllak. Normal dikun na ka ra 15-16 orë. Jemi ardhë edhe për votë edhe për pushime”, Jahir Hasani.
Por, arsyeja kryesore e ardhjes së tyre këtë fundvit mbetën pushimet, megjithatë, thonë që do e shfrytëzojnë të drejtën e votës.
“Shumë mirë kemi kalu sikur mos me pa qenë sezon si mos me pa qenë festat e fundvitit, 9 orë deri këtu as s’kemi prit as kurgjo as s’na kanë nal as sen shumë shumë mirë. Jemi ardhë pak për pushime pak për punë por edhe për të drejt të votës amo jo vec per votë”, shprehet Fatmir Gollopeni.
“S’ka pas guzhëm sot, për qat punë edhe e kem lon me kalu vikendi për me ardh pa guzhëm. 9 orë 10 kemi bo me ardh. Jemi ardh për pushime cfarë vote, por masi jemi ktu do e shfrytëzojmë” tha Sefedin Marelushaj.
E sipas statistikave nga Ministria e Punëve të Brendshme kolona më së shumti janë paraqitur ne pikat Dheu i Bardhë me 1 orë pritje , Muqibabë 40 minuta, Jarinje 20 minuta dhe Bërnjak deri në 10 minuta.
Autoritetet kanë bërë thirrje që mërgimtarët të mos kalojnë transit nga Serbia.






