Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka njoftuar se sistemi elektroenergjetik i Kosovës po përballet me ngarkesa të shtuara, veçanërisht gjatë orëve të pikut 09:00–12:00, 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00, si pasojë e rritjes së konsumit të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, këto ngarkesa lidhen me funksionimin teknik të sistemit elektroenergjetik dhe kërkojnë bashkëpunim nga të gjithë konsumatorët, në mënyrë që të ruhet stabiliteti i furnizimit me energji elektrike.
Në këtë kontekst, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka bërë thirrje për përdorim më të kujdesshëm të energjisë, duke theksuar se edhe masa të vogla individuale mund të kenë ndikim të madh në stabilitetin e përgjithshëm të sistemit.
“Si furnizues i energjisë elektrike, KESCO është e angazhuar që të informojë në kohë konsumatorët dhe të kontribuojë në menaxhimin sa më efikas të konsumit. Masa të vogla, të ndërmarra individualisht, mund të kenë ndikim të rëndësishëm për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik”, thuhet në njoftimin e KESCO-s.
Sipas kompanisë, përdorimi racional i energjisë elektrike ndihmon jo vetëm në ruajtjen e stabilitetit të sistemit, por ndikon drejtpërdrejt edhe në uljen e shpenzimeve familjare, veçanërisht gjatë sezonit të ngrohjes.
“Menaxhimi i kujdesshëm i konsumit gjatë orëve të pikut parandalon ngarkesa shtesë që mund të vështirësojnë furnizimin në momente të caktuara. Çdo kursim, sado i vogël, ndihmon që sistemi të qëndrojë i qëndrueshëm për të gjithë”, thekson KESCO.
KESCO u ka bërë thirrje qytetarëve që, veçanërisht gjatë orareve të pikut, të zbatojnë këto masa praktike:
- Të shmangin përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë si kaldaja elektrike, kondicionerët, bojlerët, lavatriçet dhe tharëset.
- Të mos i ndezin njëkohësisht disa pajisje me konsum të lartë, por t’i përdorin ato me radhë.
- Të zhvendosin punët shtëpiake që shpenzojnë më shumë energji jashtë orareve të pikut.
- Të mbajnë ngrohjen stabile dhe të moderuar, duke shmangur rritjen e temperaturës në maksimum gjatë pikut.
- Të fikin dritat e panevojshme dhe të shmangin konsumimin e energjisë nga pajisjet në gjendje standby.
Në fund, KESCO ka falënderuar konsumatorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke theksuar se angazhimi i përbashkët është kyç për një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike.







