Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, së bashku me përfaqësues të rreth 30 shteteve të tjera, pritet të miratojnë zyrtarisht të martën planet për krijimin e një organi kompensimi që synon dëmshpërblimin për dëmet e shkaktuara në Ukrainë si pasojë e pushtimit rus.
Miratimi pritet të bëhet gjatë një ceremonie në qytetin holandez të Hagës dhe vjen pas zhvillimit të bisedimeve të paqes në Berlin me të dërguarin special të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, Steve Ëitkoff, dhëndrin e Trump, Jared Kushner, si dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Gjatë këtyre diskutimeve, Presidenti Zelenskyy shprehu gatishmërinë e Ukrainës për të hequr dorë nga përpjekjet për anëtarësim në NATO në këmbim të garancive perëndimore të sigurisë, por refuzoi presionin amerikan për t’i lëshuar territor Federatës Ruse.
“Këto garanci sigurie janë një mundësi për të parandaluar një valë tjetër agresioni rus”, deklaroi ai në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve. “Dhe ky është tashmë një kompromis nga ana jonë.”
Këshilli i Evropës, organizata më e rëndësishme për të drejtat e njeriut në kontinent, ka lehtësuar krijimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave, i cili do t’u mundësojë qytetarëve ukrainas të paraqesin kërkesa për kompensim për “dëm, humbje ose lëndim” të shkaktuar nga Federata Ruse që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.
Ky komision do të vlerësojë kërkesat e regjistruara në regjistrin e dëmeve, i cili është tashmë funksional dhe u lançua gjatë një samiti të Këshillit të Evropës në Islandë në vitin 2023, shkruan Associated Press.
“Nuk do të ketë paqe të besueshme pa drejtësi”, u shpreh Zelenskyy përpara udhëheqësve në atë samit përmes një video-mesazhi nga Kievi.
Deri më tani, rreth 80,000 kërkesa janë paraqitur në këtë regjistër, i cili ndodhet në Hagë.
Megjithatë, mbeten të hapura pyetjet lidhur me burimin e financimit të komisionit të kërkesave. Këshilli i Evropës mban qëndrimin se Rusia duhet të mbajë përgjegjësinë financiare, por aktualisht nuk ekziston një mekanizëm i qartë për ta detyruar Moskën të kryejë pagesat.
Një nga propozimet është përdorimi i një pjese të dhjetëra miliardë dollarëve në asete ruse të ngrira që mbahen në Evropë, gjë e cila është kundërshtuar ashpër nga Rusia e cila e ka konsideruar një veprim të tillë si “akt lufte”.
Për fillimin e punës së komisionit kërkohet nënshkrimi i të paktën 25 shteteve, ndërsa pritet që numri i vendeve pjesëmarrëse të arrijë mbi 30, një shifër e paprecedentë për nisjen e një traktati të Këshillit të Evropës.
Shumë prej këtyre vendeve kanë mbështetur gjithashtu krijimin e një gjykate të re ndërkombëtare, po ashtu nën ombrellën e Këshillit të Evropës, e cila synon ndjekjen penale të zyrtarëve të lartë rusë për pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.








