Anëtari i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka akuzuar publikisht Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe disa media, duke i quajtur “aleancë të grupeve kriminale” dhe duke i etiketuar madje si “vrasës me pagesë”.
Reagimi i tij erdhi pasi Kurteshi u përplas me gazetarët gjatë një mbledhjeje të KQZ-së, ku ai u kërkoi disa herë dhe me tone të ashpra që të largoheshin drejt këndit të mediave.
Në një postim në Facebook, Kurteshi përdori gjuhë të rëndë ndaj gazetarëve, duke i akuzuar se “shpifin e gënjejnë hapur” dhe duke i cilësuar si “mendje të çakorduara kriminale”.
Ai pretendoi se raportimet e mediave për sjelljen e tij përbëjnë “motivime të dirigjuara” nga grupe që ai i quan “vrasës me pagesë të dinjitetit të njeriut”.
“Një qenie a grup qeniesh që shpif e gënjen hapur, që lutjen e qartë e të zëshme në gjuhën shqipe, për ndalimin e mësymjes fizike të të ashtuquajturve gazetarë, kamerambajtës në hapësirën e caktuar për mbledhje të KQZ, ose është idiot në kuptimin e plotë të fjalës, ose-ose, mendje e çakorduar kriminale prej vrasësi me pagesë, kur e quan „cenim fizik të gazetarëve“ dhe „pengim fizik të gazetarëve“, dhe si sjellje“recidivist në sulmet ndaj gazetarëve“. Pikërisht ky reagim, dëshmon pa dyshim për veprime të motivuara e të dirigjuara të „gazetarë/eve“ e „kameramanëve“ të shashtrisur prej kërcënimeve, shantazheve, yshtjeve, keqtrajtimeve nga bosat dhe bosat e bosave të tyre, që janë dëshmuar si vrasës me pagesë të dinjitetit të njeriut”, ka shkruar Kurteshi në Facebook.
Deklaratat e Kurteshit kanë nxitur reagim të menjëhershëm nga sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez.
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të marrë masa dhe të distancohet nga gjuha e përdorur nga anëtari i VV-së.
Gutierrez e cilësoi gjuhën e Kurteshit si të rrezikshme dhe denigruese:
“Z. Kurti, duke toleruar shpërthime të tilla, ju minoni gazetarët, kredibilitetin e tyre dhe shtetin tuaj duke lejuar që partia juaj të denigrojë këdo që guxon t’ju mbajë përgjegjës. Turp për partinë tuaj. Ju kërkoj t’i jepni fund këtij kërcënimi para se të jetë vonë.”
Ai kërkoi që kryeministri të ndërhyjë për të parandaluar, siç tha, “praktika mafioze” ndaj mediave./teve1.info/




