Që nga vendimi për shkarkim të u.d kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi, Këshilli Prokurorial, vlerësohet se ka hyrë në një rrugë pa krye.
Gjitha vendimet e saj që nga kjo mbledhje e 20 nëntorit, nga njohës të fushës po shihen si të kundërligjshme dhe prapavijë për ta penguar nisjen e reformës në KPK në janar të 2026-ës.
Ndaj vendimit për shkarkim, Kelmendi ka ushtruar padi kundër KPK-së dhe ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë, që pezullon zbatimin e vendimit për shkarkim.
E pikërisht një vendim i Gjykatës në lidhje me këtë çështje, konsiderohet se do të ndikonte në zhbllokimin e situatës.
“Është shumë e rëndësishme që Gjykata të vendosë një masë të përkohshme në rastin konkret në mënyrë që vendime të kundërligjshme të tilla siç po shohim në takime të Këshillit Prokurorial të Kosovës, mos të ndërmerren nga një grup i anëtarëve, shumicës së të cilëve iu kalon mandati në janar të vitit të ardhshëm. Për këtë arsye është i domosdoshëm në mënyrë që të ruhet ligjshmëria, veçanërisht gjatë kësaj periudhe kohore dhe veçanërisht kur po shohim mënyrën e veprimit të një një pjese të caktuar të anëtarëve të Këshillit Prokurorial, definitivisht se një masë e përkohshme e Gjykatës është e domosdoshme në rastin konkret në mënyrë që të ruhet ligjshmëria dhe mos të sabotohet reforma në KPK”, ka thënë Shala.
Duarkryq nuk po qëndrojnë as ndërkombëtarët.
Një takim urgjent u zhvillua nga përfaqësues të Zyës së BE-së në Kosovë dhe të gjithë anëtarëve të Këshillit Prokurorial.
“Në një takim me Këshillin Prokurorial të Kosovës, BE-ja në Kosovë u bëri thirrje sot të gjithë anëtarëve të saj që të zbatojnë së bashku dhe plotësisht reformën e KPK-së, të sigurojnë ligjshmërinë e vendimeve të tyre, të veprojnë me integritet dhe të ruajnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë. Sundimi i ligjit është një parakusht thelbësor i BE-së”, kanë njoftuar zyra e BE-së në Kosovë.
Përfshirja e ndërkombëtarëve, llogaritet se do të luajë rol kyç në ndalimin e ndërmarrjes së veprimeve të kundërligjshme.
“Është pritur që të ketë reagim nga Zyra e BE-së, e besoj se së shpejti do të reagojnë edhe ambasadat tjera të cilat kanë investuar shumë gjatë kësaj periudhe, gjatë dhjetë viteve të fundit për ta reformuar sistemin prokurorial të Kosovës. siç po shihet prapë KPK ka mbetur aq i brishtë sa të ketë ndikimi grupe të caktuara të interesit, me qëllim që të bllokimit të reformave dhe me qëllim që ta ruajnë status quo-n e cila ka ekzistuar deri më tani”, është shprehur Zekaj.
Me shkarkimin e Besim Kelmendi, ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit u emërua Agron Qelaj, emërim ky i cili po sfidohet se është bërë në mungesë kuorumi.








