Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 117-vjetorit të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, e organizuar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut në Manastir, qyteti ku u mbajt Kongresi historik i vitit 1908.
Në fjalimin e tij, Kurti theksoi rëndësinë e alfabetit si themel i identitetit dhe unitetit kombëtar shqiptar.
Ai kujtoi kontributin e nismëtarëve të Rilindjes Kombëtare, si Naum Veqilharxhi dhe shoqëritë patriotike, në zhvillimin e gjuhës shqipe dhe njësimin e shkrimit.
“Sublimja qëndron në faktin se dalja, apo ridalja e kombit tonë në botë moderne, shfaqja e tij si një komb i veçantë mes kombeve të tjerë të Ballkanit dhe të Evropës, duhej të ndodhte përmes alfabetit. Naum Veqilharxhi, një nga nismëtarët e Rilindjes sonë Kombëtare, shqetësohej se pse populli ynë kishte ngelur kaq mbrapa në zhvillim, krahasuar me popujt më të përparuar të kohës. Ai mendonte se çelësi për fillimin e përpjekjes së madhe kundër prapambetjes, jo vetëm materiale, por edhe ideore e shpirtërore, ishte lëvrimi i gjuhës amtare. Dhe ja pra, kështu e quanin ata, lëvrimi i gjuhës amtare. E, në anën tjetër ne e kemi fjalën e bukur shqipe, arsimi apo arësimi, shndërrimi i tokës në arë, e cla kur mbillet na i sjellë frytet nga të cilat jetojmë. Prandaj, nuk është rastësi që pikërisht ai e shpiku një alfabet të përveçëm të gjuhës shqipe, që të mos përkonte me alfabetët latinë, grekë e cirilikë në përdorim prej popujve të tjerë rrotull shqiptarëve. Të njëjtin shqetësim e kishin edhe patriotët që do të krijonin Shoqërinë e të Shtypuri Shkronja Shqip dhe që hartuan alfabetin e Stambollit. Hyrja e “Kanonizmës” së kësaj shoqërie fillon me fjalinë, po citoj: “Gjithë sa kombe janë të ndritur dhe të qytetëruar janë ndriçuar dhe qytetëruar prej librash në gjuhë të veta”, mbaron citati dhe fjala libër na kujton padyshim “Mesharin” e Gjon Buzukut, librin më të vjetër të gjuhës shqipe, botuar në vitin 1555. Që nga Kongresi i Manastirit më 1908 e deri te Kongresi i Drejtshkrimit të vitit 1972, kemi përpjekjet për të njësuar shkrimin e shqipes, jo thjesht për arsye operative, por edhe për një arsye tjetër: që përkundër ndarjeve politike, krahinore, ideologjike, shqiptarët të bashkoheshin te gjuha, sepse lëvrimi i njëkohshëm i gjuhës së shkruar, do të ishte dhe është ende kushti për të përballuar dhe kapërcyer efektet e ndarjeve të tjera. Sepse, kombi nuk është në të kaluarën, është në të tashmen dhe në të ardhmen. Përveçse masë njerëzore, është edhe frymë që e kthen masën njerëzore në një bashkësi. Bashkë na bën gjuha si fakt i natyrshëm, politikisht bashkë na bën shkrimi i njësuar i saj”, ka thënë ai.
Kurti gjithashtu përmendi rëndësinë e Manastirit, Prizrenit dhe Vlorës si vendndodhje kyçe të historisë shqiptare, duke vënë në dukje se gjuha është element themelor i bashkimit dhe zhvillimit kombëtar.
“Prandaj, kujtojmë çdo vit 22 Nëntorin si Ditë të Alfabetit, prandaj Manastiri i bashkëngjitet Prizrenit e Vlorës si tre vendndodhje të rëndësishme të historisë sonë. Përkujtimi brenda javës edhe i Kongresit të Manastirit, edhe i Kuvendit të Vlorës, lidh bashkë gjuhën e kulturën me idenë e lirisë dhe të vetëvendosjes. Të dyja datat na përcjellin kujtesën, amanetin, vullnetin për të përjetësuar njësimin dhe zhvillimin e shqiptarëve. Alfabeti i standardizuar në Manastir, është kurorëzimi i evolucionit të shkrimit shqip ndër shumë shekuj. Ata që shkruanin shqip përdorën shenja të përbashkëta me alfabete të ndryshëm, por secili alfabet në të cilin shkruan mund të quhej alfabet shqiptar. Sepse asnjë alfabet tjetër nuk mjaftonte për shënimin e të gjithë tingujve (fonemave) të gjuhë sonë shumë të pasur. Çdo alfabet duhej shqiptarizuar, duke bashkuar shkronja apo duke shpikur ndonjë shenjë të re. Dhe, kësisoj, alfabeti që përdorën nuk ishte identik me asnjë tjetër. Ishte alfabeti ynë. Edhe pse kishin kontakte me sisteme shkrimi të ndryshëm, me atë hieroglifik, diagramatik apo abjad (vetëm me bashkëtingëllore, pa zanore si, shkrimi arab, hebre, e të tjerë), ata iu bashkuan një të mire botërore dhe më të përshtatshmes për ne, sistemit shkrimor fonetik, ku gjuha jonë është posaçërisht e pasur”, ka theksuar Kurti.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga institucione të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe komunitete shqiptare nga diaspora, si dhe zyrtarë lokalë dhe personalitete të shquara historike dhe kulturore./teve1.info/







