Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë si panelist në debatin e nivelit të lartë “Autoritarizmi në rritje / Rusia – Kërcënimi, rreziku dhe zbutja e tyre”, në kuadër të Konferencës së Sigurisë së Berlinit dhe kongresit të 24-të të Mbrojtjes dhe Sigurisë Evropiane.
Ngjarja, e cila mbledh vendimmarrës të lartë, ekspertë të sigurisë, përfaqësues të industrisë së mbrojtjes dhe udhëheqës ushtarakë nga mbarë Evropa, u fokusua në sfidat aktuale të sigurisë në kontinent, ndikimin e politikave autoritare dhe rëndësinë e koordinimit euroatlantik në përballjen me kërcënimet e reja.
Maqedonci, së bashku me delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes kolonel, Ahmet Ajeti, kolonel, Bekim Zejnullahu dhe këshilltarin ushtarak, Agron Berisha theksoi nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm mes aleatëve dhe modernizim të kapaciteteve mbrojtëse.
Në margjinat e konferencës, ministri zhvilloi takime bilaterale me personalitete të rangut të lartë, përfshirë ministrin e shtetit dhe deputetin e Bundestagut gjerman, Florian Hahn, Gjeneralin Ingo Gerhartz, Komandant i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s në Brunssum, si dhe Princeshën Victoria, trashëgimtare e fronit të Suedisë.
Gjatë një takimi të veçantë me ministren e Mbrojtjes së Luksemburgut, Yuriko Nadia Backes, u diskutua për situatën aktuale të sigurisë dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.







