Me pranga në duar e të rrethuar nga Policia, u sollën në gjykatore.
Ish doganieri Bedri Shabani dhe ish polici Muahrrem Qerimi të enjten patën seancën e fjalës hyrëse në rastin ku po gjykohen për veprën penale të spiunazhit.
E më të filluar punimet në gjykatore, Shabani paraqiti disa probleme shëndetësore me ç’rast tha se e ka edhe një kërkesë.
“Nuk kam qenë në gjendje të mirë shëndetësore, me kanë dërguar tek mjeku kam marr terapi dhe për çdo 30 minuta jam në mbikëqyrje të mjekëve, prandaj për shkak të shëndetit nuk jam në gjendje me vazhu”, tha i akuzuari Shabani.
E pas kësaj Gjykata ndërpreu seancën për 30 minuta, pasi kërkoi sqarim në lidhje me gjendjen shëndetësore të Bedri Shabanit nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
E pas kësaj ata morën një përgjigje nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan.
“Gjykata menjëherë ka kontaktuar me qendrën e paraburgimit ne Gjilan ku përmes emailit ka kërkuar sqarime në lidhje me gjendjen shëndetësore të Bedri Shabanit. Menjëherë nga doktori i kësaj qendre kemi marrë përgjigje se i pandehuri Bedri Shabani me date 11.11.2025 është lajmëruar për konsulltë tek mjeku i burgut. Poashtu të njëjtit i është rekomanduar terapi dhe konsullta tek specialistët përkatës”, bëri të ditur Rrahman Beqiri, kryetar i trupit gjykues.
Këtu madje u bë e ditur, se Shabani ka pasur kontroll edhe në mëngjesin e së enjtes dhe se parametrat e tij ishin brenda vlerave normale.
E pas kësaj, Shabani kërkoi edhe një herë që në mënyrë humane të shtyhet seanca.
“Kam shqetësime të shumta dhe kërkoj në mënyrë humane që kjo seancë dhe e radhës të shtyhen. Terapia që e marr është e rëndë dhe shpresoj që në seancat tjera të jem më mirë”, tha ai.
E meqenëse u biseda për shëndetin e klientit të tij, avokati Besnik Berisha kishte një kërkesë.
“Meqenëse është çështje e natyrës personale, shëndetësore, humanitare, kërkoj që kjo çështje të jetë pa publicitet”, u shpreh Berisha.
Pas kësaj kërkesë të Berishës mediat u larguan nga seanca.
Pas afër gjysmë ore u bë e ditur se seanca u shty me datën 20 nëntor.
Edhe më 22 shtator nisja e gjykimit u anulua shkaku që avokati i Shabanit, Besnik Berisha, ishte në një seancë për vrasje në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Kujtojmë që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër- atë të Reçakut.





