Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, të mërkurën e pati grupin e kompletuar të futbollistëve në kuadër të përgatitjeve për duelet e këtij muaji.
“Dardanët” i luajnë dy ndeshjet e fundit në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026, por fokusi është te ndeshja e së shtunës mbrëma me Slloveninë.
Kjo ndeshje luhet në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë nga ora 20:45 dhe i takon Grupit B, të cilit i prinë Zvicra me 10 pikë, kundërshtari i fundit i Kosovës.
Në seancën e tretë stërvitore, të mbajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ekipit iu bashkuan edhe Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Muharrem Jashari e Elvis Rexhbeçaj.
Mungesa e vetme ishte portieri Arijanet Muriq, i cili nuk do të paraqitet kundër Sllovenisë për shkak të suspendimit.
Kjo stërvitje ishte intensive, ku Foda me stafin e tij u fokusuan tërësisht në aspektin taktik dhe në filozofinë e lojës që synohet të aplikohet kundër Sllovenisë.
Atmosfera në grup ishte fantastike, ndërsa besimi i futbollistëve për sukses dukej në nivelin më të lartë të mundshëm.
Si ndeshja me Slloveninë, ashtu edhe ajo ndaj Zvicrës nuk janë vetëm të rëndësishme por edhe vendimtare, pasi përcaktohet renditja përfundimtare e grupit.
Kosova është e dyta me 7 pikë, tri më pak se Zvicra që prinë dhe katër më shumë se Sllovenia që renditet e treta.
“Dardanëve” u mjafton barazimi në Lubjanë për të konfirmuar pozitën e dytë, e cila siguron play-offin, një mundësi tjetër për ta kërkuar kualifikimin në Botërorin e vitit të ardhshëm.
Në fakt, Kosova është në garë edhe për vendin e parë, i cili siguron kualifikimin direkt dhe vetëm pas ndeshjes me Slloveninë, gjërat në këtë grup mund të definohen pak a shumë.




