Autori: Jona Kelmendi
Në rrugicat e ngushta të lagjes 29 në Fushë Kosovë, ku bashkëjetojnë komunitetet rom, ashkali e egjiptian, është ngjallur shpresë tek banorët.
Pas rezultatit të balotazhit të 9 nëntorit, ata janë optimistë se jeta e tyre do të nis të ndërrojë për të mirë.
Kjo pasi që premtimet e kryetarit të zgjedhur, Valon Prebreza kanë ringjallur besimin tek minoritetet.
“25 vjet s’kemi pas diçka ndryshim të madh shohim nëper komuna tjera kanë shumë ndryshime të mëdha edhe në Fushë Kosovë ka ndryshim të madh ama andej ka qyteti e sa i përket lagjeve ashkali romë e egjiptian nuk ka diçka ndryshim të madh kështu që po mbajmë ymyt të Valon Prebreza që e ka fitu besimin tonë edhe e kem fitu besimin e tij”, është shprehur njëri nga banorët.
E të njëjtin mendim e ndajnë edhe banorët e tjerë.
“Presim një të ardhme me të mirë që 25 vite kurgjo s’kemi ndryshu qaj popull si komunitet nëpër kanta nëpër sene. Valon Prebreza i realizon ata jom i bindur që i realizon”, ka thënë banori tjetër.
“Ne mendojmë që kryetari i ardhshëm është i mirë dhe kryn punë. Ka shumë sene që presim, uji, bërlloku flliqt është shumë ktu”, ka thënë tutje banori tjetër.
Edhe Gëzim Gara nga Partia Demokratike e Ashkalive beson që këto premtime të dhëna nga kryetari do jenë të realizueshme.
“Munden me ndodh që janë të realizueshme se na edhe ma herët kemi pas koalicion me pushtetin që kaloj asnjë të realizueshme s’kanë qenë përveç qatyne që na kanë taku me ligj edhe tash me ardhjen e këtij kryetarit të ri mendoj që kanë me u realizu të gjitha”, ka thënë Gara.
Në anën tjetër edhe deputeti i pavarur Artan Asllani tregon që tani kanë bërë një marrëveshje me kryetarin e ri të Fushë Kosovës.
“Realisht mendoj që në lagjen 28 dhe 29 kemi pas takime të vazhdueshme me kandidatin për kryetar tashmë të zgjedhur edhe kemi pasur dëgjime të halleve të secilit qytetarë edhe per disa prej tyre kemi marrë premtime që do të realizohen edhe duke e pas parasysh që nuk janë zgjedhjet e para qe ne i kalojmë këtu kemi kaluar shumë zgjedhje premtimet e tina kanë qenë të realizueshme, kanë qenë ato që munden me u realizu në nivel lokal dhe jo përtej kompetencave tij”, ka theksuar Asllani.
Fushë-Kosova ka 64.078 banorë.






