Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 i cili ia njeh pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë nuk po zbatohet nga Komuna e Deçanit. Ky rast sipas profesorit, Flamur Hyseni përmendet vetëm në aspekt të pronësisë dhe jo për aspekt të cenimit të lirive fetare.
“Kjo është sa i përket statusit të asaj prone që është e Manastirit të Deçanit, po kjo nuk ka refleksione direkte sa i përket lirisë së besimit të atyre rreth 2 për qind të popullatës ortodokse që jetojnë dhe veprojnë në territorin e Republikës së Kosovës …”, ka thënë Hyseni.
Më tej, ia ka vlerësuar se çështja e manastirit të Deçanit është politike.
“Sa i përket statusit të pronës të Manastirit të Deçanit është e vërtet që ai vendim nuk është zbatuar. Kjo nuk reflekton mirë në funksionimin demokratik të institucioneve… Këtë nuk e shoh si tendencioze në raport me Kishën dhe Manastirin e Deçanit sepse fundja ky manastir edhe pse është institucion i kultit fetar vepron nën juridiksionin e Republikës së Kosovës. Prandaj i nënshtrohet rendit juridik – kushtetues të Republikës së Kosovës, por unë e shoh më tepër si një problem politik në raport me Selinë e Kishës Serbe në Beograd. Prandaj ky është një problem më madhor ndërshtetëror Kosovë – Serbi”, ka vlerësuar Hyseni në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ditën e djeshme DASH-i ka nxjerrë raportin që flet për liritë fetare në mbarë botën, ku pjesë e kësaj ishte edhe Kosova që u specifikua me probleme të trashëguara në këtë aspekt.