Me fillim nga ora 15:00, sot do të zhvillohen të gjitha ndeshjet e xhiros së 35-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Njëherë kjo është edhe java e parafundit e kampionatit elitar. Tani më dihet kampioni dhe dy skuadrat që kanë rënë nga elita e futbollit kosovar.
Por, luftë e madhe po zhvillohet për t’i ikur pozitës së tetë, që dërgon në barazh. Prishtina, Dukagjini, Malisheva dhe Drenica janë skuadrat që po luftojnë për t’iu shmangur pozitës së tetë në tabelë.
Kryeqytetasit janë më komod, pasi gjenden dy pikë larg vendit të gjashtë dhe katër larg pozitës së shtatë e tetë. Bardhekaltërit në ‘Fadil Vokrri”, do të përballen me Dritën.
Kryeqytetasit me një pikë nga kjo përballje do të ishin të kënaqur pasi nuk do të rrezikonin më atë pozitën e tetë, derisa gjilanasit kërkojnë triumfin për pozitën e dytë pasi kanë ende gjasa.
Dukagjini në anën tjetër pret Llapin, skuadër kjo që tanimë nuk ka objektiva pasi ka siguruar Evropën dhe nuk mund të shkoj më lartë se pozita e katërt. Kurse klinasit mëtojnë fitoren për t’i ikur zonës së barazhit.
Interesant pritet të jetë edhe dueli mes Drenicës dhe kampionit të ri të Kosovës, Ballkanit që do të zhvillohet në Skenderaj. Kuqezinjët rrezikojnë të mbesin në pozitën e tetë, dhe me doemos i duhen pikët maksimale, kurse portokallinjët janë me të qetë pasi kanë fituar titullin e elitës.
Ndërkohë nxehtë pritet të jetë edhe përballja Gjilani – Malisheva, me vendasit që kërkojnë pikët për ta siguruar vendin e dytë, derisa mysafirët pikët për t’i ikur fundit.
Krejt në fund do të përballen në Lipjan dy skuadrat e rëna tanimë nga elita e futbollit kosovar, Ulpiana dhe Feronikeli./Tëvë1/