Ashtu siç kishte paralajmëruar, SBAShK-u ka mbajtur grevë njëorëshe në nivel vendi.
E pikërisht ecurinë e saj kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari bashkë me anëtarë tjerë të sindikatës po e vëzhgojnë në shkollën fillore “Asim Vokshi” në Prishtinë.
Nga aty i pari i SBASHK-ut përsëriti kërkesën që sa më shpejt të miratohet Ligji i Pagave por tha se nuk do ta pranojë një ligj të imponuar.
“Një ligj që na punon dikush tjetër ne nuk e pranojmë… Deklaratat që po na dhimben nxënësit të Qeverisë janë false, janë për të krijuar nervozë të prindërit. Nëse i dhimben Qeverisë Kurti nxënësit dhe mësimi, le të ulet me Sindikatat dhe të bëjë zgjedhje”, tha Rrahman Jashari.
E anëtari i kryesisë i grupit të grevës, Adnan Veseli tha se është i shqetësuar për orët që po humbin si pasojë e grevës por shtoi se nuk ka zgjidhje tjetër.
“Me këto kushte qysh janë ngritur çmimet edhe ne nuk kemi kushte të mira, nuk kemi mundësi me mbajt një familje dy anëtarëshe sepse rrogat tona pas pesë dite nuk janë, e ata po mendojnë që po marrim kushedi sa”, tha Adnan Veseli nga kryesia e grevës në SBAShK.
Por me grevën nuk janë të kënaqur nxënësit e kësaj shkolle.
SBASHK-u ka paralajmëruar protestë masive më 20 maj, nëse deri atëherë nuk miratohet Ligji i Pagave, ose nëse nuk merret vendim që shtesa prej 100 eurosh të vazhdohet edhe në muajt në vazhdim.
Në nivelin parauniversitar në të gjithë vendin sot është mbajtur grevë njëorëshe. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës po kërkon që Ligji i Pagave të miratohet sa më shpejt teksa kanë bërë të ditur se nuk do ta pranojnë një ligj të imponuar. Megjithatë nxënësit po kërkojnë që mos të vazhdohet me greva.
Raporti i gazetarit Gojart Jashari.