Për secilën gënjeshtër që shpërndanë Serbia apo elementet e saj, diplomatët nga Kosova duhet të veprojnë me vendosmëri, qartësi dhe të jeni të shpejtë në reagime. Partneriteti strategjik dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar duhet të jenë prioritet. Kështu është thënë sot kryeministri Albin Kurti në edicionin e 7-të të Konferencës së Ambasadorëve të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi rëndësinë e diplomacisë publike, derisa potencoi se përballë sulmeve të vazhdueshme hibride dhe kinetike nga Serbia, ambasadorët e Kosovës duhet reaguar shpejtë dhe me mprehtësi.
“Kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme sesa tani diplomacia publike. Takimet dhe bisedat me studentë dhe gazetarë, aktivistë e ndërmarrës që i keni bërë sigurisht se kanë rritur e forcuar lidhjet me shteteve e popujve tanë. Komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jeni gjithnjë e më aktiv dhe përherë të pranishëm. Heshtja mund të keqkuptohet dhe për më tepër i lë hapësirë edhe propagandës edhe dezinformatave. Raportet që ju dërgoni janë posaçërisht të vlefshme kur janë të shpejta, të mprehta dhe të sakta, pasi e rëndësishme është saktësia dhe fuqia e fjalëve që dërgoni më parë sesa gjatësia e dokumentit. Përballë sulmeve sistematike, hibride, kinetike të Serbisë, ajo vazhdimisht përdorë propagandën dhe dezinformatën si armë të politikës së saj të jashtë dhe pikërisht për këtë arsye puna juaj merr vlerë dhe peshë të shtuar. Me mbështetje të hapur nga Rusia ajo ka ngritur një rrjet narrativash të rreme që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, tha Kurti.
Kurti iu drejtua diplomatëve kosovarë se provimi i interesave ekonomike të sigurisë dhe politikës së jashtme, janë detyrë parësore për ata.
Ai tha se puna e ambasadorëve nuk është thjeshtë përfaqësim por edhe angazhim në fuqizimin e pozitës sonë.
“Ju duhet të veproni me vendosmëri, qartësi dhe të jeni të shpejtë në reagime. Për secilën gënjeshtër që shpërndanë Serbia apo elementet e saj, ne duhet të kemi të gatshme të vërtetën tonë. Në këtë pikë, duhet të jeni edhe aktiv edhe proaktiv dhe të kontribuoni në përgjigje të shpejta që duhet të ofrohen… Puna juaj nuk është thjeshtë përfaqësim por angazhim në fuqizimin e pozitës sonë. Provimi i interesave ekonomike të sigurisë dhe politikës së jashtme janë detyra juaj parësore kurse demokracia, sundimi i ligjit, liria e shprehjes dhe drejtat e njeriut janë parimet dhe vlerat themelore që duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për punën tuaj, punën e të gjithë neve…Është përgjegjësi e juaja të tregojini historinë e popullit tonë, por edhe të mësoni e të kuptoni sa më mirë të mundeni historinë, kulturën dhe aspiratat e vendeve ku shërbeni…Aleanca, partneriteti strategjik dhe miqësia me Shtete e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, me Mbretërinë e Bashkuar duhet të jenë prioritet. Të gjitha shtete NATO-s janë shtete ku ne përqendrohemi në intensifikimin e raporteve me ta”, potencoi Kurti./kp