Ministri i jashtëm i Rusisë Sergey Lavrov, pas një ore intervistë me gazetarin amerikan Tucker Carlson, një mbështetës i Presidentit Trump, nuk la pa e përmendur Kosovën. Rasti i Kosovës është si rasti i Krimesë tha Lavrov.
Në kohën kur pritet të ulen në tavolinë me Presidentin e ri amerikan Donald Trump për të gjetur zgjidhjen për luftën në Ukrainë, Rusia po e përdorë kartën e Kosovës për të justifikuar veprimet e saj.
Kosova dhe Krimea janë i njëjti rast sipas Lavrov – në një intervistë për gazetarin Tucker Carlson i cili mbështeti Presidentin amerikan Donald Trump në fushatën që e solli në pushtet – transmeton TËVË1.
Sipas Lavrov, politika e Jashtme amerikane dhe kryesisht Perëndimi po luan me dy standarde kur bëhet fjalë për vetëvendosjen e popujve.
“Kur SHBA dhe shtetet perëndimore pranuan pavarësinë e Kosovës, thanë është aplikuar parimi i vetëvendosjes. Në Kosovë nuk ka pasur referendum, meqë ra fjala, ishte shpallje e Pavarësisë në mënyrë të njëanshme. Kur serbët iu drejtuan Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë – gjykata e dha verdiktin se nëse një pjesë e territorit shpallë pavarësinë, nuk është patjetër të pajtohen me autoritetin qendror. Disa vjet më vonë Krimea mbajti një referendum. Ka ftuar disa vëzhgues ndërkombëtar, parlamentarë perëndimor, ata thanë jo, nuk mund ta pranojmë këtë se është cenim i të territorit të një shteti. Pra, ata po e zgjedhin një dhe po i lënë tjerat. Kjo nuk është një menu ushqimi, ku mund të zgjedhësh çfarë do ti. Këto raste duhet të pranohen në tërësi”, deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrorv.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të lartë rus përmendin rastin e Kosovës për të arsyetuar veprimet e tyre prej 10 vjetësh në Evropën Lindore.
Por është lajm rikthimi i kësaj retorike në diplomacinë ruse në prag të një marrëveshje të mundshme me Shtetet e Bashkuara në fillim të vitit të ardhshëm – raporton televizioni.