Rëndësia e raportimit të dhunës ishte tema me të cilën e nisën ditën sot nxënësit e shkollave në Kosovë. Kjo u bë në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Aty, një grua rrëfeu dhunën që kishte përjetuar nga burrat shkak i ngritjes së saj në detyrë.
Doli para nxënëseve t’i tregojë se si i mori shenjat në fytyrë.
Ngritja në detyrë në një kompani në Shqipëri, u bë makthi i madh për Vilma Dulen.
Para gjimnazistëve të “Ahmet Gashit”, pikërisht në nisjen e Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”ajo tha që shkak i një përgjegjësie që mori në kompaninë ku punonte, u sulmua nga kolegët burra, të cilët assesi sipas saj, nuk pranon që ajo të ishte një pozitë mbi ta.
Paraprakisht, ndaj saj filluan kërcënimet verbale në vitin 2012, e më pas e sulmuan fizikisht një vit pas në Tiranë…
“Deri sa një ditë të bukur me 27 gusht dikush më priste poshtë shtëpisë, një person që unë nuk e njihja unë po dilja nga puna bashkë me kushërirën time dhe me hallën time , për të shkuar në punë dhe hallën për të dërguar në spital dhe pastaj më dërgoi mua, ajo në spital. Se dikush më priste poshtë shtëpisë, një person një djalë i ri, 25 vjeç. Imagjinoni ky djalë ishte përgatitë tërë mëngjesin me duart e tij me një shishe bidoni që brenda kishte hedhur acid të më priste poshtë shkallëve”, tha kryetarja e Shoqatës “Persona”, Vilma Dule.
Dule, thotë që për tu rikuperuar bëri disa operime në Evropë dhe mbi një dekadë nuk ishte fare në Kosovë as në Shqipëri.
Këtë rrëfim e dëgjoi edhe ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila u zotua para gjimnazistëve që do të angazhohen për adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
“Deri tani kemi ndërmarrë shumë veprime që kanë për qëllim që të rehabilitohen personat të cilët bëjnë veprime të tilla pra kryejnë dhunë në familje apo janë të dhunshëm në ambientin familjar”, tha Haxhiu.
Kjo temë zgjoi interes tek nxënësit.
“A mendoni se kohëzgjatja e burgimit të dhunuesit është e mjaftueshme apo jo?”, pyeti një nxënëse.
“Unë mendoj që nëse dikush i mbanë për dhunë në familje tri vite dhe rehabilitohet në institucionin korrektues ai nuk ka me përsërit më veprën penale. Natyrisht nuk them 100 % që do të jetë kështu por besoj që nëse rehabilitohet siç duhet”, u përgjigj Haxhiu.
E ndryshe nga shoqja e saj, Albesa Tahiri nuk kishte pyetje por kishte vetëm një mesazh.
“Me vet faktin që jemi një shtet demokratik, atëherë duhet larguar këto pikëpamje që djemtë duhet pasur të drejta dhe duhet avancuar që me pas një jetë më të mirë edhe mendoj se pa vajza s’ka jetë”, tha kryetarja e Këshillit të Nxënësve.
E pranishme në këtë ligjëratë ishte edhe shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari Lila.
“Të bëhemi aleat të parandalimit të dhunës. Që aty ku e shohim të jemi ata që e ndalim, aty ku nuk mund të ndalim ne të thërrasim ata që kanë mundësi ta parandalojnë dhunën të eskaloj qoftë në mesin tuaj, qoftë në familjet tuaja apo në lagjet tuaja”, tha ajo.
Ora e parë e mësimit në Kosovë të hënën nisi me ligjëratë për dhunën në familje për nder të fillimit të fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore.