Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka deklaruar për Tëvë1 se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe president i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në muajin janar do ta inskenojnë një skenar të ngjashëm me sulmin terrorist në Banjskë të vitit të kaluar.
Ai ka thënë ky skenar do të bëhet për qëllime politike nga Kurti e Vuçiq.
Në një deklarim për Tëvë1, Berisha ka thënë se Kurti këtë skenar do ta shfrytëzojë se i duhen votat, e Vuçiq për të kthyer vëmendjen nga Kosova, pas protestave që po zhvillohen në Beograd kundër tij.
“S’besoj që do të shkojë më shumë se gjysma e janarit dhe ky kryeministër, meqenëse tani në Beograd veç ka fillu një revolt kundër regjimit të Vuçiqit, ky kryeministër në koordinim me Vuçiçin do ta inskenojnë edhe një skenar tjetër të tipit Banjska. Do të ia mundësojë edhe tërheqjen… të dytë do t’i shërbejnë, ky (Vuçiq) do ta tërheq vëmendjen e serbëve që janë ngritur kundër Vuçiqit kah Kosova, e ky (Kurti) do ta shfrytëzojë këtë moment të daljes së këtyre serbëve që do t’marrin ato armë diku në ndonjë vend siç ishte ai fshati në Zveçan e Zubin Potok dhe do të dalin në skenë dhe pastaj do të ndërhyjë me polici, dhe ky është krejt një skenar për ta rritur prestigjin dhe imazhin e tij se i duhet votat dhe këto me ja siguru Vuçiqi përmes këtij skenari patrioti”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, në këtë konflikt ajo që do të “pësojë” është Policia e Kosovës.
“Unë po e paralajmëroj fillimin e janarit si momentin kur ky do ta inskenojë një situatë të tillë dhe do të ndërhyrë heroikisht me ato forma siç dinë këta me luajt rolin…. se hala mendojnë se kanë defiçencë se s’kanë qenë në luftë, njëri është dezertor ai ministri i Brendshëm, ky është keqpërdorues i statusit – ky s’ka qenë, u dorëzua para forcave serbe… dhe tani e kanë atë kompleks. Do ta inskenojnë një konflikt të tillë të tipit Banjska, për me tregu patriotizmin e tyre duke e viktimizuar policinë. Uroj që të mos viktimizohet asnjëherë dhe ta marrin këtë si vërejtje të mos bien pre e provokimeve, i cili pritet të ndodh në janar. Ky është paralajmërimi që po e bëj, e që e dinë mirë Kurti dhe Vuçiqi, dhe partnerët ndërkombëtarë që do ta parandalojnë.
Ai edhe për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar që ndodhi në Banjskë ku u vra rreshteri i policisë së Kosovës, heroi – Afrim Bunjaku, në disa deklarime kishte thënë se ka qenë i orkestruar nga Kurti e Vuçiq.
Institucionet e Kosovës pas sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar vazhdimisht kishin përmendur se Serbia po përgatitet për të sulmuar Kosovën.
Policia e Kosovës kishte sekuestruar arsenal armësh e dokumentacione pas sulmit në Banjskë, ndërsa që vazhdon të gjejë armatime të ndryshme edhe tash e të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me këtë sulm.
Më 11 shtator të këtij viti, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj grupit terrorist të udhëhequr nga Milan Radoiçiq./teve1.info/