Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Valon Murtezaj ka thënë se gara në mes të kandidatit republikan, Donald Trump dhe demokrates, Kamala Harris është shumë e ngushtë dhe interesante.
Murtezaj tha se nën udhëheqjen e Harris nuk pritet që të këtë ndryshime të mëdha në raport më Kosovën.
Sipas tij, në rast të fitores së Trump, atëherë marrëveshja për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë pritet që të bëhet aktuale menjëherë.
“Nëse zonja Harris bëhet president, atëherë gjasat janë që nuk do të këtë ndryshime të mëdha në raport me Kosovën dhe në përgjithësi me politikën e jashtme të SHBA-së… Nuk pres ndonjë ndryshim drastik në politikën amerikanë ndaj Kosovës dhe Ballkanit. Ndoshta fokusi mund të jetë më i madhe në raport me procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, por nuk mund të këtë ndonjë ndryshim drastik. Në anën tjetër nëse z.Trump bëhet president për herë të dytë, atëherë ajo çfarë mund të them… është ajo që ajo marrëveshja për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë nën përkrahjen apo ndërmjetësimin e tij pritet që të bëhet aktuale menjëherë…”, ka thënë ai në emisionin “Ditari”në Tëvë 1.
Qytetarët amerikanë sot po votojnë për presidentin e ri të tyre mes dy kandidatëve, republikanit Donald Trump dhe demokrates Kamala Harris.
Presidenti i zgjedhur do të inaugurohet të hënën më 20 janar 2025, në ambientet e kompleksit Kapitol – inaugurimi i 60-të presidencial në historinë e SHBA-së.