Komuniteti boshnjak në Kosovë e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për lëvizjes e lirë për qytetarët e Bosnje e Hercegovinës, vendim ky i cili pritet të hyjë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm. Nga ky komunitet, shpresojnë që deri në janar edhe Bosnja do ta shqyrtojë mundësinë e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës.
Të hënën u paraqit nga kryeqyteti gjerman.
Nga Berlini, kryeministri i Kosovës, njoftoi se nga 1 janari, qytetarët e Bosnje-Hercegovinës, do të mund të hyjnë në Kosovë me letërnjoftim.
“Shteti boshnjak për shkak të Republikës Serbe, është shndërruar në Bjellorusi të vogël në Ballkan”.
Këtë deklaratë shefi i ekzekutivit e dha në kuadër të 10 vjetorit të Samitit të Berlinit.
E kjo deklaratë e kryeministrit, ka gëzuar komunitetin boshnjak në Kosovë.
“Kam qenë shumë e lumtur unë mendoj se është një prej momenteve që është shumë i rëndësishëm për neve boshnjakëve. Momenti kur je i lirë për të shkuar në vendin ku jeni lindur është diçka e madhe, sepse unë e di që shumë boshnjakë që janë prej Kosovës jetojnë në Bosnje e Hercegovinë dhe kemi shumë studentë që janë atje, dhe këtë mundësi e kam përshëndetur me lumturinë më të madhe”, tha deputetja Duda Balje.
Deputetja me kombësi boshnjake në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje, shpreson që njëjtë do të veprojë edhe Bosnja Hercegovina.
Megjithatë Balje shton se pajisja me vizë të shtetit boshnjak, nuk është e lehtë.
“Për mua ka qenë jo e logjikshme qysh ne mundemi me shkua me letërnjoftim në Serbi, në një shtet që nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës e jo në Bosnje e Hercegovinë. Për neve ka qenë një situatë e vështirë, por tash ne kemi hap rrugën dhe vërtetë jemi duke pritur nga Bosnja e Hercegovina të bëjë njëjtë, prej janarit me u bë e njëjtë…. Bosnja është e obliguar në bazë të marrëveshjes së Berlinit, por Bosnja ka shumë problem sepse e ka një politikë të brendshme që është shumë e komplikuar”, tha Balje.
E lëvizje të mirë nga Qeveria e Kosovës këtë, e ka quajtur emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Por ky, pati edhe një porosi për kryetarin e Republikës Serbe në Bosnje, Milorad Dodik.
“Mendoj se çdo qytetar në Kosovë e kupton se nuk do t’i japim karamele Dodikut për të kryer këtë. Është pozitive dhe lëvizje e mirë nga Qeveria e Kosovës që t’i lejojë qytetarët e Bosnjës të lëvizin lirshëm në Kosovë. Ky është shpirti që promovon Procesi i Berlinit dhe shpresoj që përfaqësuesit e entitetit të Republikës Serbe të pajtohen rreth atyre që promovon Procesi i Berlinit”, tha emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Entiteti i Republikës Serbe në Asamblenë Kombëtare të Bosnjë dhe Hercegovinës më 27 qershor të vitit të kaluar bllokoi miratimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.
Kjo rrjedhimisht bllokoi vendosjen e regjimit pa viza ndërmjet BeH-së dhe Kosovës, ndonëse për këtë u ra dakord në nëntor të vitit 2022. /teve1.info/