Vjeshta nuk e ka zbehur dëshirën për aventurë në lumin Vjosa. Edhe në ditët e para të nëntorit, rrjedha e lumit të egër vijon të tërheqë turistë të apasionuar pas natyrës dhe sporteve ujore, duke e kthyer këtë destinacion në një zgjedhje të preferuar edhe përtej sezonit tradicional turistik.
“Rafting ishte i mrekullueshëm sepse mundëm të shihnim se si lumi rrjedh natyrshëm kur ka hapësirën e nevojshme. Gjatë udhëtimit në lum morën shpjegimet e duhura nga guida për historinë e zonës”, tha një turist.
“Në Gjermani nuk kemi zona të tilla kaq të egra dhe të vështira për t’u arritur. Është një ndjesi sikur kthehesh pak tek rrënjët”, u shpreh një turiste.
Por pas emocioneve që ofron aventura ujore, një element mbetet i panegociueshëm, siguria. Përgatitja dhe respektimi i rregullave janë pjesë e pandashme e çdo turi.
“Standardet janë kryesoret edhe siguria e para. Duhet të jenë pajisjet e duhura, certifikimi ehe përvoja. Nuk duhet të tolerojmë as te pjesa se lumi tani është i qetë. Lumi gjithmonë është i rrezikshëm. Jemi mbi ujë”, tha Robert Tabaku, operator turizmi.
Vjosa dëshmon kështu se bukuritë e saj nuk kanë një sezon të përcaktuar. Edhe në nëntor, ajo vijon të jetë një ftesë e hapur për aventurë, duke sjellë vizitorë që kërkojnë të zbulojnë natyrën përmes emocioneve dhe përjetimeve ndryshe./rtsh.al/










