Analisti politik, Xhevdet Pozhari, thotë se rritja e pensioneve prej 20% është dëshpëruese.
Pozhari thotë se Qeveria Kurti ka ardhë në pushtet me premtim për ngritje të pensioneve, ani pse është çështje komplekse.
“Kjo Qeveri ka ardhë në pushtet edhe me premtimin e ngritjes së pensioneve. Tash çështja e pensionistëve është pak komplekse. Rritja prej 20 eurove është me të vërtetë dëshpëruese, s’ka term tjetër që mund të quhet”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Pozhari deklaroi se familjarë të ministrave aktual thonë që pensionistët e moshës janë barrë për shtetin.
“Kemi ardhë në atë situatë ku ka edhe të atillë që thonë se këta që e marrin pensionin e moshës janë barrë për shtetin. Ka të atillë, pra deri në këtë situatë ka ardhë puna… ata që kanë thënë janë familjarët e ministrave aktual. Nuk po dua ta bëj mediatike. Do të thonë thonë që as një vend si Kosova nuk paguan njerëzit që s’kanë pasur truste pensionale, harrojnë që bëhet fjalë për disa gjyshër, për disa persona të viteve ’40, ’50”, deklaroi ai.
Qeveria e Kosovës njoftoi më 7 tetor një rritje prej 20 për qind të pensioneve që financohen nga shteti. Nga kjo rritje do të përfitojnë edhe mijëra pensionistë që kanë më pak se 15 vjet stazh pune para luftës së viteve 1998-99 e që përfitojnë vetëm pension të moshës./teve1.info/