Që dy javë, në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë është rritur niveli i sigurisë. Brenda objektit të shkollës prindërit lejohen të hyjnë vetëm gjatë orarit të konsultimeve. E ky vendim është mirëpritur nga vetë prindërit, por edhe nga nxënësit e kësaj shkolle.
Hapja e derës kryesore të shkollës “Ismail Qemali” nuk mund të bëhet nga çdokush.
Tash e dy javë, çdo hyrje dalje po monitorohet nga ky punëtor teknik të cilin e ka angazhuar menaxhmenti i shkollës.
Kjo pas vendimit që Drejtoria e ka marrë për të shtuar sigurinë brenda shkollës e cila ka mbi 3 mijë nxënës.
“Vetëm për shkak të sigurisë së nxënësve, orari i konsultimeve është shpërndarë në grupet e prindërve. Secili prind e ka për obligim me ardh vetëm në orarin e konsultimeve, hyrjet dhe daljet e prindërve në mënyrë të paarsyeshme është e ndaluar, por vetëm prindërit kur kanë takim me mësuesen, me arsimtarin kujdestar, me arsimtarin e lëndës. Punëtori teknik i cili është ngarkuar me menaxhu hyrjet dhe daljet i regjistron në fletoren e tij e protokollime në kuadër të qarkores të Drejtorisë së Arsimit.”, ka thënë Drejtoresha e kësaj shkolle, Mimoza Krasniqi.
Përmes këtij vendimi i cili është iniciuar nga kryesitë e klasave dhe mbështetur nga Këshilli drejtues i shkollës, vetëm nxënësit e ciklit të lartë mund të dalin jashtë objektit gjatë pushimit të gjatë.
“Për ciklin e ulët nuk kanë të drejtë më dalë, secila mësuese nuk i lejon me dalë, vetëm shfrytëzohet objekti brenda shkollës, hapësira brenda shkollës për daljet në pushimin e shkurtër.” deklaroi Krasniqi.
E ky vendim është mirëpritur edhe nga prindërit.
“Mendoj që është me e sigurt, nuk mundet me ardh çdokush me hi brenda, përveç stafit të shkollës edhe është më me rëndësi për nxënësit. Mendoj që e ka bërë me të arsyeshmen drejtoria”, tha prindi, Remzie Maliqi.
“Mendoj që është çështje më e sigurt sidomos për sigurinë e fëmijëve. Mendoj që këtë që e kanë bërë është vendim i qëlluar.” tha prindi, Valdrin Gërbeshi.
Për një pjesë të nxënësve shtimi i sigurisë është në të mirë të tyre.
“Na jena qetash më të sigurt edhe kur jena në oborr kur dalim nuk ka njerëz të tjerë që nuk janë pjesë në shkollë.” ka deklaruar nxënësja, Lyra Sinani.
“Mu vendimi mu ka dok një veprim shumë i mirë, për shkak se gjatë pushimeve pesë minutëshe, disa nxënës, pra jo shumë të rregullt po dalin nga ora.”, ka thënë nxënësja, Rejana Qerimi.
Por ka edhe prej tyre që nuk po e pëlqejnë vendimin e drejtoratit të shkollës.
“Ma keq po më duket personalisht se edhe hyrjet që i kanë mbyllë mbrapa po bëhen shumë nxënës edhe shumë zor për me dal prej derës.”, tha nxënësja, Buna Hadergjonaj.
“Mu po më duket keq se edhe kur po dëshirojmë me dalë prej mësimit nuk po mundemi, shumë ngushtë.”, deklaroi nxënësja, Elsa Shyleta
Dyert automatike në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë janë bërë më financim nga Drejtoria e Arsimit.