Në Hagë është mbajtur seanca e apelit në rastin e ish eprorit të UÇK-së, Pjetër Shala. Ai u ankua se nuk e ka marrë aktgjykimin në gjuhën shqipe, për çka edhe mbrojtja e tij tha se mungesa e aktgjykimit të plotë ua pamundëson ankimimin.
Është mbajtur në Hagë, seanca e apelit në rastin e ish eprorit të UÇK-së, Pjetër Shala.
Ai shprehi shqetësimin që nuk është pajisur me aktgjykimin në gjuhën shqipe, që e shpallë atë fajtor për krime lufte.
“Tani unë akoma nuk e kam as aktvendimin e përkthyer. Unë nuk e di si do të ankohemi, bëjmë ankesën kur unë nuk e di se në çfarë mënyrë dënohem. Më jepet aktvendimi, dënohem për vrasje që nuk kam vra kurrë në jetën time. Ma shpjegojnë avokatet e unë nuk muj me besu përderisa nuk e kam zyrtarisht në mënyrë zyrtare, para vetës ta lexoje dhe kuptoj se për çka jam i dënuar dhe nuk e di si kam mundësi që të punoj me avokatët dhe të bëjmë ankesa kur akoma nuk e kam të përkthyer”, tha Shala.
Edhe mbrojtja e tij, ngriti si çështje mungesën e aktgjykimit të plotë, çka sipas tyre po ua pamundëson ankesën.
“Fakti që aktgjykimi edhe pas dy muajsh mbetet konfidencial, po ashtu edhe dosja paraprake kjo pengon faktin e mundësisë së ngritjes së Apelit. Pra, kjo çështje pengon neve që të diskutojmë këto çështje në publik… Është situatë skandaloze. Ky është shqetësimi ynë që këto procedura janë mbajtur me dyer të mbyllura që nuk është e pranueshme. Ne e dimë që ju nuk jeni ne gjendje vetë, nuk e keni kompetencën që të nxjerrni një variant të redaktuar publik, por dua të shpreh këtë shqetësim”, tha avokatja Leto Cariolou
Megjithatë, ata paralajmërojnë se do ta apelojnë madje edhe vendimin për zhdëmtim të viktimave.
“Po tregojmë që nuk jemi dakord me këtë aktgjykim dhe do të ngremë Apel edhe ndaj urdhrit për zhdëmtim. Ligji edhe Rregullorja na kanë bërë të mundur dhe do të dëshironim që ju z. Gjykatës të na konfirmoni apo jo se mënyra se si interpretojmë ligjin, nenin 44 të tij, ajo sugjeron që çështjet e zhdëmtimit është e ngjashme apo pjesë e dhënies së masës për caktimin e masës së dënimit. Në qoftë se e kemi kuptuar si duhet, atëherë i takon sipas nesh Panelit të Gjykatës së Apelit që të lëshojë ose të merr automatikisht edhe çështjen e urdhrit për zhdëmtim dhe prandaj ne po kërkojmë udhëzim në këtë fazë të hershme nga ju”, tha Mohamed Hedi Aouini, avokat.
Pjetër Shala u dënua me 18 vjet burgim për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë.