Serbia nuk ka dhënë përgjegjësi e as nuk është ndëshkuar për sulmin terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
I vetmi që ka marrë përgjegjësi për atë sulm është ish-nënkryetari i Listës Serbe, kryeterroristi Milan Radojçiq.
Profesori nga Westminster University, Aidan Hehir, po shprehet i befasuar që Serbia akoma nuk është ndëshkuar nga komuniteti ndërkombëtar, pasi sipas tij të gjitha dëshmitë tregojnë se shteti serb ka dorë në atë aksion terrorist.
“Sulmi i Banjskës nuk ka mundësi të ketë ndodhur pa mbështetjen aktive të Beogradit. Pajisjet e përdorura nga paramilitarët padyshim janë furnizuar nga Serbia dhe vetë ky grup ka lidhje të ngushta me regjimin e Vuçiqit. Duke pasur parasysh të gjitha këto, është e pabesueshme që Serbia ende nuk është përballur me ndonjë ndëshkim. BE dhe SHBA kanë zgjedhur të mos e ndëshkojnë Serbinë si pjesë e politikës së tyre të butë. Është një politikë sa e turpshme aq edhe kundërproduktive. Sa më gjatë që Serbia të mos dënohet për Banjskën, shqiptarët e Kosovës do të ndihen të mënjanuar nga Uashingtoni dhe Brukseli”, thotë ai.
Serbia deri më tani ka refuzuar çdo kërkesë të Kosovës për ta ekstraduar Milan Radojçiqin.
Së fundmi, ministri i brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq tha se Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe se sipas tij kjo e bën të pamundur për ta ekstraduar Radojçiqin.
Por, Hehir thotë se është turpshme që Radojçiq lëviz lirshëm nëpër rrugët e Beogradit, madje ai takohet edhe me zyrtarë të nivelit të lartë.
“Është turp që Radojçiq ecën i lirë pavarësisht vrasjes së Afrim Bunjakut. Serbisë e di qartë vendndodhjen e tij dhe ai duhet të arrestohet dhe ekstradohet. Nuk ka absolutisht asnjë justifikim që ai të lejohet të ecë lirshëm nëpër Beograd, duke takuar zyrtarë të nivelit të lartë”, tha Hehir.
Milan Radojçiq u mor në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në muajin tetor dhe u ngarkua me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Megjithatë, gjykata në Beograd vendosi ta liroi atë duke ia konfiskuar vetëm dokumentet. /teve1.info/